Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton uroi popullin e Kosovës në emrin e Presidentit Obama, për tre vjetorin e pavarësisë së vendit. Sekretarja Klinton thotë në një deklaratë se i kishte bërë shumë përshtypje perspektiva e vendit të ri kur e kishte vizituar Kosovën në tetor.
“Rinia energjike dhe e angazhuar që përfaqëson të ardhmen e Kosovës po punon me shoqërinë civile për të ndërtuar institucionet demokratike, për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe inkurajuar vendosjen e shtetit ligjor”, shprehet zonja Klinton.
Sot është rasti, vazhdon ajo që udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës të ritheksojnë angazhimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, të dyja thelbësore për të realizuar angazhimin Euro-Atlantik. Kjo është e nevojshme për stabilitetin dhe begatinë e Kosovës, thotë zonja Klinton.
Sekretarja e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të ardhmen e Kosovës dhe se ato do të jenë krah saj në përpjekjet për një Kosovë më të sigurt dhe paqësore.