Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak tha sot se është në interes të Izraelit të ulë tensionet me Turqinë.
Ai i bëri komentet në përgjigje të komenteve që bëri Ministri i Jashtëm Avigdor Liberman ku hidhte poshtë një kërkesë të Turqisë që Izraeli të kërkojë ndjesë për sulmin ndaj flotiljes turke me ndihma, që la të vrarë 9 vetë.
Zoti Liberman tha para një audience në Jeruzalem se Turqia duhet të kërkojë ndjesë për “mbështetje të terrorizmit”.
Anija po udhëtonte drejt Rripit të Gazës me ndihma, kur u sulmua nga njësi speciale izraelite.
Izraeli tha se Turqia po thyente bllokadën ndaj Gazës dhe se trupat e saj hapën zjarr në vetë-mbrojtje.