Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën ka rikonfirmuar sot mbështetjen e tij të plotë për siç thuhet. “Kosovën e pavarur, plotësisht sovrane, demokratike dhe shumetnike brenda kufijve të saj aktual”. Në takimin e sotëm në Prishtinë ky grup ka diskutuar përparimet në zbatimin e planit të krye negociatorit Martti Ahtisari, ka vlerësuar lartë tejkalimin e krizës politike me zgjedhjen e presidentes së Kosovës dhe ka shprehur mbështetjen për procesin e reformës kushtetuese dhe legjislative për të forcuar besueshmërinë dhe legjitimitetin e demokracisë në Kosovë.
Në përfundimet e takimit grupi ka shprehur shqetësimet për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe disiplinën buxhetore e fiskale në Kosovë, duke e nxitur qeverinë që të përpiqet për përparime në këtë fushë dhe fusha tjera të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të gjithë qytetarëve dhe në qëndrueshmërinë e tërë vendit, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë, sundimin e ligjit, pajtimin si dhe kujdesin domethënës për komunitetet pakicë. Grupi ka mirëpritur angazhimin e Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe inkurajon Kosovën dhe Serbinë, që si fqinjë të pavarur dhe sovran, të vazhdojnë kërkimin e marrëveshjeve për çështjet e interesit praktik për qytetarët e tyre.
Grupi shpreh besimin se krahas avancimit të pajtimit dhe qëndrueshmërisë rajonale, dialogu mund të ndihmojë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe të ndihmojë në rrugët e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Grupi e vlerëson gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të plotë me EULEX-in në hetimin e pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe mirëpret krijimin e task forcës së posaçme për hetimin e këtyre pretendimeve. Diplomatët thanë se në takim është diskutuar edhe gjendja në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe ndonëse kjo çështje nuk është përfshirë në përfundimet e takimit, aty është ritheksuar qëndrimi se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe as shndërrim të veriut në një konflikt të ngrirë për një kohë të gjatë.