Në Shqipëri guvernatori i Bankës Qëndrore, Ardian Fullani tha sot ritmet e rritjes së ekonomisë së vendit vazhdojnë të jenë nën mundësitë e saj. Komentet e tij guvernatori Fullani i bëri në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të Bankës.
Sipas guvernatorit Fullani, përtej kërkesës së dobët për mallra dhe shërbime, rritja e konsumit dhe investimeve në vend vijon të përballet me kushte të shtrënguara financimi.
Ai tha se ndonëse bankat mbeten tërësisht të shëndosha dhe me tregues likuiditeti në përmirësim, ecuria e kredisë për sektorin privat vazhdon të karakterizohet nga një kujdes i shtuar i sistemit bankar si dhe nga një ecuri e ngadaltë e kërkesës për kredi.
Në fakt raporti i kredisë me Prodhimin e Brendshëm bruto shënoi një rritje prej vetëm 0,2 për qind krahasuar me një vit më pare, tha guvernatori Fullani.