Një kasetë e re që mendohet të ketë zërin e udhëheqësit të al-Kaidës Osama Bin Laden është shfaqur në internet dhe flet për përmbytjet e fundit në Pakistan.
Inçizimi prej 11 minutash, i vendosur në faqe interneti ekstremistësh sot, përqendrohet tek përpjekjet e shpëtimit dhe tek ajo që duhet bërë për parandaluar katastrofa natyrore në të ardhmen. Është mesazhi i tretë javët e fundit nga figura të al-Kaidës që trajton përmbytjet shkatërruese në Pakistan.
Grupi i zbulimit SITE, me bazë në Shtetet e Bashkuara, që monitoron forumet terroriste, thotë se mesazhi i fundit dëgjohet në një video ku është bërë një montazh duke vendosur fotografinë e bin Ladenit mbi pamjet filmike të shpërndarjes së ndihmave.
Në inçizim, Bin Ladeni inkurajon një ndryshim në mënyrën sesi kryhen misionet e ndihmave dhe bën thirrje për krijimin e një organizate ndihmash për të studjuar rajonet myslimane të vendosura pranë lumenjve dhe zonave të ulëta. Ai bën thirrje gjithashtu për një investim më të madh në bujqësi.
Nuk ka pasur verifikim të pavarur të vërtetësisë së kasetës.