Lidhje

Firma Paton Bogs, optimiste për shitje optimale të kompanisë Albpetrol


Firma Paton Bogs, optimiste për shitje optimale të kompanisë Albpetrol
Firma Paton Bogs, optimiste për shitje optimale të kompanisë Albpetrol

Një përfaqësues i firmës amerikane që do të bëjë konsulencën për privatizimin e kompanisë Albpetrol shprehet optimist për perspektivën e shitjes së saj me kushte të favorshme. Xhud Kërni, kreu i grupit të Biznesit Ndërkombëtar të firmës Patton Boggs, e pranon se Albpetroli ndodhet në një gjendje të vështirë, por thekson se kjo ndodh gjithmonë me kompani shtetërore. Ai shton se investitorët e kanë të qartë në këto raste se po blejnë një kompani që nuk e ka realizuar potencialin e vet të plotë dhe se ato kanë vullnetin që ta bëjnë kompaninë që ta arrijë një synim të tillë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se që para se të fillonte privatizimi ai kishte dëgjuar për grupe të interesuara për blerjen e tij dhe se më shumë investitore kanë shprehur interes për të.

Zëri i Amerikës: Zoti Kearney, a mund të na shpjegoni procesin që pritet të ndiqet për privatizimin e Albpetrolit?

Jude Kearney: Procesi nuk është përcaktuar ende plotësisht por përgjithësisht rrjedha e një procesi shkon kështu: ne do të ulemi të diskutojmë me sa më shumë palë të interesuara mes shqiptarëve që të jetë e mundur për të krijuar një ide se çfarë presin ata nga privatizimi dhe për të marrë mendimet e tyre. Bëhet fjalë për qeverinë, për ministrinë e posaçme që merret me sektorin në fjalë, agjencinë që në këtë rast është Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Ne sigurisht do të diskutojmë dhe marrim idetë e punonjësve dhe menaxherëve të kompanisë, për t’u siguruar që cilido qoftë procesi i shitjes të marrë parasysh interesat e këtyre grupeve.

Zëri i Amerikës: Keni bërë ndonjë nga këto takime deri tani?

Jude Kearney: Jemi ende në faza shumë të hershme. Jemi takuar me zyrtarë të qeverisë dhe me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, si edhe me disa menaxherë dhe zyrtarë të tjerë të Albpetrolit, thjesht sepse na është dashur që të marrim nga Albpetroli sa më shumë dokumenta dhe materiale që të jetë e nevojshme për një analizë të plotë dhe që të jemi në gjendje ta paraqesim në mënyrë sa më të favorshme për investitorët e mundshëm. Njerëzit me të cilët kemi kaluar më shumë kohë deri tani, kanë qenë zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, si edhe disa menaxherë dhe punonjës të Albpetrolit.

Zëri i Amerikës: Çfarë ideje keni krijuar për Albpetrolin?

Jude Kearney: Ashtu si ARMO, bëhet fjalë për një kompani të menaxhuar nga shteti dhe ato si në çdo vend të botës, veçanërisht në vende ish-komuniste, organizata janë drejtuar aq mirë sa ka qenë e mundur. Kështu që ne mendojmë se Albpetroli është një kompani që duhet të ngjallë një interes të konsiderueshëm në industrinë e naftës, por kjo industri do ta shohë vetë kur të bëjnë vlerësimin e tyre. Ne kemi parë nga kontaktet fillestare se duhet shumë punë.

Zëri i Amerikës: Meqë folët për interesin për Albpetrolin, juve keni dëgjuar për entitete të interesuara?

Jude Kearney: Unë kisha dëgjuar për interes të shprehur për Albpetrolin, që përpara se ne të fitonim të drejtën për privatizimin dhe më pas kam dëgjuar edhe për më shumë interesim si nga kompani evropiane, ashtu edhe joevropiane. Nuk bëhet fjalë për informacion zyrtar, por kam informacion të besueshëm se ka interes për këtë kompani.

Zëri i Amerikës: A mund të përmendni ndonjë me emër?

Jude Kearney: Jo nuk mundem!

Zëri i Amerikës: Kur ky interes të shprehet, do të kalojë përmes jush?

Jude Kearney: Ne po punojmë për të ngritur diçka që quhet zyra e informacioni (data room) e cila do të menaxhohet dhe kontrollohet nga vetë Albpetroli, por do të kenë ndihmën e firmës sime dhe firmës sonë partnere në terren. Ne do të ndihmojmë me shqyrtimin e saktë dhe analizën e duhur të materialeve nga investitorët e mundshëm. Kështu që ata do të komunikojnë me ne por vetëm si agjentë për Albpetrolin dhe AKBN-në.

Zëri i Amerikës: Albpetroli nuk është në gjendje të mirë financiare dhe ka shumë probleme, si borxhe, mungesë tregu për të shitur naftën, si edhe pakënaqësi nga ana e punonjësve. Çfarë sfidash paraqet kjo situatë për privatizimin?

Jude Kearney: Pa konfirmuar që problemet që ju përmendët janë problemet e vërteta, unë e pranoj që ka disa probleme që paraqesin sfida për investitorët. Por kjo ndodh gjithmonë. Në një farë mase një gjendjeje të tillë i atribuohet vendimi nga një qeveri që entitete të tjera janë në pozicion më të mirë për të menaxhuar një ndërmarrje tregëtare. Kjo sepse është e vështirë kur nuk je një organizatë që ka si synim fitimin, siç janë kompanitë private. Në kushte të tilla është e vështirë që të jesh në gjendje ta kesh gjendjen nën kontroll lidhur me të gjitha çështjet e kredive që ke kur drejton një ndërmarrje tregëtare. Kështu që nuk është befasuese që Albpetroli ka disa probleme financiare dhe kredish. Nga ana tjetër kështu ndodh pothuajse gjithmonë me entitete që privatizohen, nuk është ndonjë gjë e re apo specifike për Albpetrolin. Në një farë mase, investitorët janë mësuar me këtë fakt, pra që janë duke blerë një kompani që nuk e ka realizuar potencialin e vet të plotë dhe ato kanë vullnetin që ta bëjnë kompaninë që ta arrijë një synim të tillë. Ata e kuptojnë që ka disa çështje që duhet t’i zgjidhin, çështje me punonjësit dhe janë të gatshëm që të merren me to ashtu siç kanë bërë me vende të tjera dhe me sukses. Kështu që unë besoj se ka disa investitorë të mundshëm që i dinë problemet që ju përmendët, që ka disa çështje që kanë lidhje me blerjen e kësaj kompanie por që kanë përvojë në blerjen dhe transformimin e kompanive të tilla tregëtare.

Zëri i Amerikës: A niseni nga përvoja me privatizime të tilla dhe a do të thoshit që përfitimet nga blerja janë më të mëdha sesa rreziku që ajo paraqet?

Jude Kearney: Do të thoja që pa dyshim ky është vendimi që merr shumica e investitorëve. Në disa raste përfitimi nga blerja është shumë më i madh se sa kostoja dhe flas nga përvoja jo vetëm me Ballkanin. Unë kam punuar me privatizime në gjithë botën. Është diçka e zakonshme që kompanitë e dinë se nuk po blejnë një korporatë të shkëlqyer, përkundrazi në disa raste po blejnë një entitet pothuajse jofunksional për vite me radhe por që ka shanse të mëdha për të arritur maksimumin e kapacitetit.

Zëri i Amerikës: Fondi Monetar Ndërkombëtar në një nga raportet e saj ka thënë se privatizimi i Albpetrolit është i rrezikuar, pjesërisht falë borxhit që ARMO i detyrohet dhe nuk ia ka paguar. Cili është vlerësimi juaj për këtë rrezik?

Jude Kearney: Unë nuk e kam analizuar konkretisht këtë çështje. E kam dëgjuar një gjë të tillë por unë vetë personalisht nuk e di.

Zëri i Amerikës: Nuk e keni parë këtë raport?

Jude Kearney: Nuk e kam parë këtë raport. Siç ju thashë kam dëgjuar për këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Patton Boggs ka realizuar gjithashtu privatizimin e ARMO-s. Mund të na thoni se si mund të kontribuojnë përvoja e fituar nga ai proces për privatizimin e Albpetrolit?

Jude Kearney: Gjithmonë nxirren mësime kur ndjek një proces të veçantë. Ne ndoqëm një proces të caktuar me ARMO-n dhe hasëm disa pengesa gjatë tij, siç kam hasur në çdo privatizim që kam realizuar. Duke i kapërcyer disa nga këto probleme me ARMO-n, besoj se këtë radhë do ta kemi më të lehtë që të kalojmë përmes së njëjtit proces me privatizimin e Albpetrolit. Ajo që mund të them është se do të jemi të kënaqur nëse do të arrijmë – dhe kam besim që do t’ia dalim – që të realizojmë për Shqipërinë (për Albpetrolin) atë lloj shitjeje dhe transaksioni që realizuam me ARMO-n. Ne besojmë se interesi ekziston dhe se do të kapërcejmë të gjitha pengesat dhe të përfitojmë nga ky interes.

Zëri i Amerikës: Megjithatë pas privatizimit të ARMO-s pati probleme. Vendin e konsorciumit që u shpall fitues, e zuri në fakt një kompani shqiptare e cila menaxhon tani ARMO-n. A mund të shpjegoni se ç’doni të thoni kur thoni që doni të shihni edhe me Albpetrolin, atë që realizuat me ARMO-n?

Jude Kearney: Para së gjithash unë nuk e kam gjithë informacionin e duhur që të flas për pikat konkrete që ju përmendni, në lidhje me funksionimin e brendshëm të konsorciumit që bleu ARMO-n, apo që ka askione tek ARMO. Natyrisht që informacioni për konsorciumin që fitoi tenderin dhe që përfundimisht bleu aksionet e ARMO-s është publik. Se ç’ndodhi më pas nuk besoj se unë mund të flas. E vërteta është se suksesi i një privatizimi nuk është më shumë i garantuar sesa ç’është i garantuar procesi përpara tij, por shanset e suksesit pas një procesi të detajuar privatizimi janë më të shumta për kompaninë sesa para privatizimit. Dhe ne e besonim këtë për ARMO-n, e besojmë për Albpetrolin. Ne besojmë që një kompani nafte e sektorit privat do ta forcojë Albpetrolin në një mënyrë të tillë që qeveria nuk mundet.

Zëri i Amerikës: Pra kur ju merrni një kontratë si me ARMO-n apo Albpetrolin dhe një kompani si konsorciumi që përmenda më lart fiton, roli juaj përfundon aty, ju nuk mund të bëni më gjë nëse gjendja ndryshon?

Jude Kearney: Nëse na kërkohet. Është e pazakontë që neve të na kërkohet mendim pas privatizimit. Para së gjithash kur kompania privatizohet nuk është më nën kontrollin e qeverisë. Nëse do të na kërkohej dhe na jepej një kontratë për të kryer ndonjë veprim, ndoshta mund të kishim një rol por zakonisht kjo nuk ndodh me kompanitë private.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë ishte për firmën tuaj të fitonte kontratën për privatizimin e ARMO-s?

Jude Kearney: Mjaft e vështirë. Kishte një numër të konsiderueshëm konkurrentësh – 8 ose 9, ndoshta edhe më shumë - dhe disa prej tyre shumë të fortë. Por ne jemi marrë shumë me privatizime – dhe nuk e kam fjalën vetëm për ARMO-n – dhe mendoj se propozimi që paraqitëm ne ishte shumë i mirë, me angazhime të cilat do t’i plotësojmë. Do të duhen shumë përpjekje. Do të duhet shumë punë nga ana e qeverisë, nga vetë Albpetroli, por edhe nga ne dhe nga përfaqësuesi ynë lokal DKT. Ne e kemi filluar këtë punë. Po vlerësojmë situatën në Albpetrol, ashtu siç duhet në mënyrë që AKBN-ja dhe qeveria t’i paraqesin palëve të interesuara.

Zëri i Amerikës: Keni ndonjë afat për procesin?

Jude Kearney: Afati standard për këto lloj kontratash është rreth 6 muaj. Megjithatë si tregu ashtu edhe qeveria e kanë të qartë se një farë fleksibiliteti duhet dhënë për afatet. Ne jemi të përgatitur që ta zbatojmë afatin por nëse do të jetë e nevojshme për ta paraqitur Albpetrolin nën dritën më të mirë ne mund të kërkojmë edhe kohë shtesë.

Zëri i Amerikës: A ka plane të tjera Patton Boggs për privatizimin e sektorëve të tjerë strategjikë në Shqipëri?

Jude Kearney: Jo aktualisht. Ne nuk kishim në plan që të hynim në garë për privatizimin e Albptrolit që pas privatizimit të ARMO-s. Nuk e dinim që ishte në dispozicion. Mundësia për të marrë kontratën për privatizim u hap në fillim të këtij viti, kështuqë vendosëm ta kërkonim. Nuk dimë që të ketë tani për tani ndonjë privatizim tjetër në dispozicion.

XS
SM
MD
LG