Policia e Gjirokastrës tha sot se bllokoi rreth 100 kg lëndë narkotike në afërsi të kufirit me Greqinë. Aksioni është më i fundit i një serie operacionesh kundër transportuesve të lëndëve narkotike. Zyrtarët e policisë së Gjirokastërs thonë se vetëm këtë vit kanë arrestuar mbi pesëdhjetë persona dhe bllokuar rreth pesë tonë lëndë narkotike.
Rreth 100 kilogramë lëndë narkotike te llojit marijuanë janë bllokuar në aksin rrugor që lidh Gjirokastrën me Pikën e Kakavijës në kufi me Greqinë.
Policia e Gjirokastrës dyshon se lënda i përkiste një banori të fshatit Lazarat, një fshat i njohur për përmasat e kultivimit të lëndës narkotike. Sipas policisë personi arriti ti shpëtonte arrestimit duke përfituar nga orët e vona të mbrëmjes.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës Gentian Mullai tha se aksioni ishte me i fundit i një serie operacionesh që jane kryer kundër transportuesve te lëndëve narkotike. Në harkun e një viti janë kryer 33 operacione dhe është bashkëpuanur me policinë kufitare dhe atë të qarkullimit rrugor,tha z.Mullai. Policia e Gjirokastrës tha më tej zëdhënësi Mullai ka arrestuar mbi 50 persona dhe ka bllokuar rreth 5 tonë drogë në harkun e e muajve të këtij viti. Sipas tij operacionet janë koordinuar mes të gjithë sektorëve të policisë.
Shumica e lëndës narkotike ka si destinacion Greqine fqinje ku vlera për një kilogramë bimë narkotike i kalon të 500 dollarët. Zyrtarët e policisë thonë se po bashkëpunojnë edhe me palën greke për të luftuar transportimin e narkotikëve si nga brezi kufirit tokësor edhe atij detar.