Lidhje

Afresket e ish-qytetit të lashtë të Pompeit do të rindërtohen nga robotët


Afresket e ish-qytetit të lashtë të Pompeit do të rindërtohen nga robotët
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Për herë të parë, inteligjenca artificiale dhe robotët do të përdoren për rindërtimin e afreskeve të qytetit të lashtë italian, Pompeit. Qyteti u gropos i tëri pas shpërthimit të vullkanit Vezuv, në vitin 79 të erës tonë. Kjo është pjesë e një projekti eksperimental që synon të rindërtojë vepra arti të përmasave të mëdha, që do të ishin të pamundura të riparoheshin nga dora e njeriut.

Këto prototipe robotësh kanë një detyrë shumë të rëndësishme.

Ndërsa skanojnë fragmente të thyera të afreskeve, ato riparojnë historinë.

Në Mestre, nje qytezë jo shumë larg Venecias, studiuesit kanë nisur një projekt të quajtur Riparimi, i cili synon të rindërtojë afresket e dëmtuara në qytetin e lashtë të Pompeit, me ndihmën e teknologjisë robotike dhe duke përdorur algoritme dhe modele statistikore, që mund të përmirësohen automatikisht përmes përvojës dhe përdorimit të të dhënave.

Ekipi planifikon të përdorë një sistem robotik inteligjent për të përpunuar, përputhur dhe rindërtuar fizikisht e në mënyrë autonome afreske dhe artifakte të tjera të copëtuara, me një shpejtësi shumë më të madhe nëse e njëjta punë do të kryej nga njeriu.

Një nga qëllimet e këtij projekti është të trajtojë afreske shumë të mëdha, pasi është e kotë që sistemi ynë të merret me afreske të vogla. Nëse kemi një afresk të thyer dhe përmban vetëm dhjetëra ose ndoshta qindra pjesë, ndoshta mund ta ndreqim atë vetë dhe nuk kemi nevojë për një robot. Në këtë projekt ne duan të përqëndrohemi tek afreske shumë të mëdha. Afreske që asnjë ekip njerëzish nuk mund t'u jepte zgjidhje për t’i rindërtuar", shpjegon Marcello Pelillo, koordinator i projektit “RePAIR” (Riparimi) dhe profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Ca' Foscari të Venecias.

Fragmentet e përdorura në eksperiment mbahen aktualisht të magazinuara në Parkut Arkeologjik të Pompeit.

Aty ka afreske të ‘Schola Armaturarum’, shkatërruar nga shembja e ndërtesës në vitin 2010, po kështu afreske të dëmtuara gjatë shpërthimit të vullkanit në vitit 79 pas Krishtit apo si rezultat i bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Copat janë mjaft të mëdha, kështu që kjo do ta bëjë më të lehtë për ne të kuptojmë se si t'i bëjmë bashkë. Gjëja tjetër e rëndësishme është që ne e dimë se si duhet të duket imazhi përfundimtar. Është sikur të kesh një kuti që përmban një pazëll ku i ke udhëzimet si ta formosh. E dyta do të jetë shumë më e vështirë, sepse nuk e kemi kutinë dhe nuk e dimë se si dukej në të kaluarën, thjesht do të hamendësojmë, duke patur parasysh se si dukeshin zakonisht afresket në atë periudhë", shpjegon Arianna Travigli, koordinatore e Qendrës IIT për Teknologjinë e Trashëgimisë Kulturore.

Para fillimit të çdo rindërtimi, studiuesit do të ndërtojnë një robot të aftë të skanojë çdo fragment, si dhe të analizojë strukturën e objektit në tre dimensione. Ai gjithashtu do të përdorë teknologjinë hiperspektrale për të parë atë që nuk mund të shihet me sy të lirë.

"Ne do të përdorim teknologjinë hiperspektrale për të zbuluar gjurmët e pigmenteve që nuk janë të dukshme dhe këto ndoshta do të jenë në gjendje të mbështesin kërkimin tonë për të gjetur pjesën e duhur që përputhet me një tjetër, sepse problemi ynë më i madh për momentin është se jo të gjitha pjesët që janë ruajtur janë në përmasa të mëdha. Ndaj ne do të përdorim këtë lloj teknologjie për të shqyrtuar se çfarë mund të ketë qenë atje përpara se temperaturat, shiu apo faktorë të tjerë të kenë bërë të vetën, duke ndryshuar strukturën e pjesëve me kalimin e kohës”, shpjegon zonja Travigli.

Projekti filloi në shtator të këtij viti dhe pritet të zgjasë katër vjet.

Mijëra fragmente, si pjesë të vogla të një pazëlli, do të riorganizohen me ndihmën e infrastrukturës robotike, të pajisur me krahë mekanikë të aftë për të skanuar fragmentet, për t’i identifikuar ato përmes një sistemi dixhital tre dimensional (3D) dhe për t'i vendosur në vendin e tyre të duhur.

Na duhet të merremi me pjesë shumë delikate, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm kur bëhet fjalë për robotin që do t’i mbajë këto pjesë. Pra që të mos thyen ne do të përdorim teknika nga robotika e butë, të cilat na lejojnë t’i trajtojmë e manipulojmë të gjitha pjesët në një mënyrë shumë delikate”, thotë zoti Pelillo.

Projekti RePAIR, ‘Rindërtimi i së kaluarës, inteligjenca artificiale dhe robotika takohen me trashëgiminë kulturore’, financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit ‘Horizon 2020’, didikuar kërkimit dhe inovacionin.

Me këtë projekt po bashkëpunojnë edhe universitete të ndryshme në Izrael, Portugali dhe Gjermani, së bashku me Universitetin Ca' Foscari të Venecias dhe Institutin Italian të Teknologjisë (IIT), me synimin për të riparuar disa nga afresket e Pompeit. Suksesi në këtë drejtim do të ishte një revolucion thotë zoti Pelillo:

"Në ditët e sotme ka qindra apo mijëra afreske të thyera në të gjithë botën, jo vetëm në Pompei. Ne do të përqëndrohemi kryesisht këtu, por nëse sistemi ynë funksionon, atëherë do të mund ta eksportojmë këtë teknologji”.

Aktualisht grupe të ndryshme studiuesish po punojnë mbi programin dhe pjesët elektronike të robotit. Ai do të ndërtohet brenda rreth 18 muajve, përpara se t'i jepet detyra për të rindërtuar të kaluarën. Pompeu, një vendndodhje arkeologjike pranë Napolit të sotëm, u shkatërrua nga shpërthimi vullkanik i malit Vezuv. Pjesa më e madhe e qytetit antik vazhdon të jetë ende e pagërmuar. Ai është një nga pikat turistike më të njohura të Italisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG