Lidhje

Trupat në Afganistan pakësohen, por lufta vazhdon


“Tranzicion” është fjala kyçe për forcat ndërkombëtare në Afganistan të udhëhequra nga NATO, si Forca Ndihmëse e Sigurisë Ndërkombëtare, ISAF, e cila vazhdon të pakësojë trupat në terren. Ndërsa numri i ushtarëve ndërkombëtarë pakësohet, komandanti i këtyre forcave në Afganistan thotë se lufta është ende e vështirë.

Pas shpërthimit më të fundit vetëvrasës të talebanëve në Kabul disa ditë më parë, pati kaos. U vranë tre oficerë afganë dhe u plagosën shtatë.
Komandanti i Përgjithshëm i ISAF-it John Campbell thotë se numri i forcave afgane të vrara dhe të plagosura gjatë këtij viti është midis 7 mijë dhe 9 mijë, pak më shumë se viti i kaluar.

Duke folur me gazetarët nëpërmjet satelitit, ai thotë se luftimet e kohëve të fundit në provincën Helmand kanë kontribuar në këtë rritje.

"Dy javët e fundit ka pasur një shtim të përballjeve me talebanët ndërsa ata përpiqen të dërgojnë një mesazh, në mbyllje të sezonit të luftimeve."

Ndërkohë që forcat afgane marrin më shumë përgjegjësi për luftimet, trupat e ISAF-it në Afganistan do të pakësohen nga rreth 40 mijë në më pak se 13 mijë, në fund të dhjetorit.

Analisti Andrew Wilder thotë se kjo nënkupton një rol të ri për forcat ndërkombëtare.

"Është e rëndësishme të theksohet se misioni kryesor nuk është misioni luftarak, por është një mision trajnimi, këshillimi dhe ndihme."
Por Gjen. Campbell paralajmëron se forcat ndërkombëtare kanë ende një rrugë të vështirë përpara.

"Ne humbëm një ushtar natën e kaluar. Humbëm tre të tjerë rreth pesë ditë më parë, kështu që ky vazhdon të jetë një mjedis shumë i vështirë për ushtarët tanë, për të gjithë NATO-n."

Zoti Campbell i tha Zërit të Amerikës se ndërsa forcat ndërkombëtare nuk patrullojnë më me njësitë afgane, ata janë ende duke luftuar për të liruar vendin nga kryengritësit e al-Kaidës me anë të kundër terrorizmit, apo operacioneve të veçanta.

Edhe ndërsa më shumë trupa vazhdojnë të largohen, komandanti i Përgjithshëm Campbell thotë se është i bindur se forcat ndërkombëtare janë në rrugën e drejtë në ndihmën për ndërtimin e një Afganistani më të qëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG