Ndërsa irakianët pritën të enjten Vitin e Ri islamik, kryengritësit e shënuan atë me më shumë veprime dhune. Në jug të Bagdadit, në një zonë të quajtur “trekëndëshi i vdekjes”, policia zbuloi trupat e më shumë se 20 irakianëve të vrarë, mesa duket në një pritë.
Policia thotë se të vrarët ishin shoferë kamionësh që transportonin sheqer, kur ranë në pritë në një zonë që njihet si trekëndëshi i vdekjes. Edhe dy policë dhe dy ushtarë që po shoqëronin autokolonën u vranë.
Policia tha se beson që sulmi ka ndodhur të paktën para dy ditësh. Megjithatë, zyrtarë të ministrisë së brendëshme tërhoqën vëmendjen se nuk mund të konfirmonin as sulmin dhe as viktimat.
Në të njejtën zonë, në afërsi të Salman Pakut, policia u përlesh me kryengritësit, pasi këta të fundit sulmuan me mortaja dhe automatikë. Ushtria amerikane tha se dërgoi trupa për të ndihmuar policët. Të paktën 6 policë njoftohet se u vranë dhe dhjetra të tjerë u plagosën.
Ndërkohë, të paktën pesë irakianë u vranë në sulmet e sotme në Bagdad, Kirkuk dhe Bakuba.