Lidhje

Ministrat e Natos përfundojnë takimin në Nisë - 2005-02-10


Ministrat e mbrojtjes të Natos po i japin fund takimit të tyre në Nisë të Francës me premtime për më shumë pjesmarrje në stërvitjen e oficerëve irakianë, për përmirësimin e misionit në Afganistan dhe për ruajtjen e nivelit ekzistues të trupave në Kosovë.

Ministrat e mbrojtjes të Natos arritën kompromis lidhur me çështjen se si do të veprojnë për zbatimin e misionit të Natos në stërvitjen e trupave irakiane. Zyrtarët e Natos deklaruan se aleatët kanë arritur një kompromis për stërvitjen e rreth 1000 trupave irakiane në vit, përmes rrugëve të ndryshme.

Të paktën 10 vende të Natos kanë premtuar se do të venë në dispozicion instruktorë ose oficerë të tjerë për stërvitjen e forcave irakiane në një akedemi afër Bagdatit. Franca, Gjermania dhe vende të tjera që më parë nuk pranuan të dërgojnë trupa në Irak, tani po stërvisin ose kanë premtuar të stërvisin irakianët jashtë Irakut.

Vende të tjerë që gjithashtu kanë refuzuar më parë, tani po premtojnë pajisje ose fonde për këtë qëllim. E rëndësishme, thonë zyrtarët e Natos është që çdo vend anëtar të kontribuojë për programin stërvitor pavarësisht se në ç’mënyrë do të kontribuojë.

Kjo është me sa duket formula që kanë gjetur ministrat për të afruar pozicionet e tyre rreth Irakut, të cilat më parë ishin shumë më të ndryshme.

Lidhur me Afganistanin, ministrat njoftuan se disa vende kanë ofruar trupa për zgjerimin e misionit të Natos edhe në rajonet perëndimore. Ky mision, i quajtur ISAF, gëzon shumë më tepër mbështetje brenda Natos se sa ai në Irak.

Përparim është arritur edhe në një aspekt tjetër, në integrimin e komandës së Natos në Afganistan me atë të trupave amerikane që vepron atje si një mision më vete.

Ministrat e mbrojtjes diskutuan edhe për Kosovën. Në takim, atyre u raportoi komandanti i KFOR-it, gjenerali francez De Carmabon. Të paktën prej një viti Kosova ka qenë një ndër shqetësimet e Natos,pasi reagimi i Natos gjatë trazirave të marsit 2004 ishte i pamjaftueshëm dhe zyrtarët thonë se ata kanë nxjerrë mësime nga kjo.

Zëdhënësi i Natos, James Aparthurai, i tha Zërit të Amerikës se ”parimi është shumë i qartë: aftësitë operacionale të Natos duhet të ruhen në nivelin që janë tani. Ky është një vit delikat për Kosovën përsa i përket diskutimit për standardet dhe ndoshta edhe për statusin dhe natyrisht për çështje që lidhen me gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Prandaj të gjitha vendet e Natos janë dakord se aftësitë operacionale janë me rëndësi të dorës së parë. Struktura e saktë e forcës së Natos në Kosovë dhe çështje të tjera janë në diskutim e sipër por parimi është i njëjti. Natoja do të marrë pjesë gjithashtu në procesin politik dhe ajo po merr pjesë në këtë proces që drejtohet nga Grupi i Kontaktit.”

Nga komentet e zotit Aparthurai dhe të zyrtarëve të tjerë në konferencë duket qartë se Natoja po flet gjithnjë e më hapur për Kosovën, jo thjesht nga pikpamja ushtarake, por po e vëzhgon me kujdes edhe procesin politik në Kosovë, sidomos në këtë vit delikat, siç e quajnë zyrtarët, një vit kur do të shikojmë se si do të vlerësohet nga komuniteti ndërkombëtar rezilizimi i standardeve, dhe nëse kjo mund të shënojë fillimin e bisedimeve për statusin.

Në komentet e tij, sekretari i përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer, tha se Kosova është në një periudhë shumë kritike dhe se misioni i Natos në Kosovë është një mision afatgjatë, jo thjesht diçka që do vazhdojë 2 ose 3 vjet.

XS
SM
MD
LG