Lidhje

Majko: Shtetet e Bashkuara optimiste për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO - 2005-02-05


Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pandeli Majko thotë se Shtetet Bashkuara janë optimiste për një integrim të shpejtë të Shqipërisë në NATO. Gjatë një vizite në Washington për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, zoti Majko pranoi në një intervistë për Zërin e Amerikës, rëndësinë e zgjedhjeve të këtij viti për afrimin e Shqipërisë me strukturat euro-atlantike, por tha se nuk priste që këto zgjedhje të sillnin ndonjë ndryshim të madh, përsa i takon skenës politike. Ministri Majko pati takime në Washington me Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Donald Rumsfeld dhe me Kryetarin e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, Senatorin Richard Lugar.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, gjatë këtyre ditëve të qëndrimit tuaj në Washington ju keni bërë takime të rëndësishme duke filluar nga Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld. Mund të na thoni diçka rreth tyre?

Pandeli Majko: Vizita ishte e një karakteri të veçantë, do të thosha që përveç asaj që mund të quhet mbledhje zyrtare, ajo kishte edhe një përmbajtje mjaft familjare. Është e disata herë që vizitoj Washingtonin. Këtë radhë mund të veçoj faktin që familjariteti, diskutimi, por edhe kënaqësia për ecurinë e reformave në fushën e mbrojtjes bashkëshoqërojnë të gjitha takimet, qofshin me zotin Rumsfeld, me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme, (Richard Lugar) si edhe u shpreh një optimizëm lidhur me integrimin e Shqipërisë së shpejti në NATO.

Zëri i Amerikës: Për përafrimin me strukturat euro-atlantike, si NATO-ja për shembull, Shqipërisë i duhet të përmbushë jo vetëm standarde ushtarake, por edhe politike. Për Shqipërinë ky vit, është vit zgjedhjesh. Sa mendoni se do të ndikojë ana politike në këtë afrim kur komuniteti ndërkombëtar e ka vënë si kusht zhvillimin normal të këtyre zgjedhjeve për afrimin me komunitetin euro-atlantik?

Pandeli Majko: Sigurisht zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm për të ardhmen e integrimit të Shqipërisë jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian, pasi siç e thatë edhe ju, integrimi në NATO nuk është thjesht integrimi i ushtarakëve në NATO, por është integrim i gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk mendoj se në zgjedhjet që do të vijnë do të ndodhin çudira të mëdha. Në fund të fundit politikanët janë po ata që janë dhe nuk do të kemi ndonjë ndërrim të tyre. Por ajo që ka ndërruar gjatë kësaj kohe në Shqipëri është struktura sociale e shoqërisë shqiptare, ka ndërruar mentaliteti i votuesve, kështuqë mendoj se kjo do të shprehet në zgjedhjet që do të vijnë.

Zëri i Amerikës: Çfarë e bëri Shqipërinë që të vendoste të merrte pjesë në koalicion në luftën në Irak, ndërkohë që të paktën dy nga aleatët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara e kundërshtuan këtë luftë dhe nuk morën pjesë?

Pandeli Majko: Shqipëria vendosi unanimisht të merrte pjesë në luftën e Irakut. E kam fjalën nuk ishte një vendim i një partie politike, apo disa individëve për të fituar disa pikë përballë syve të institucioneve amerikane. Ishte një vendim i përbashkët i opozitës dhe partisë në pushtet, apo koalicionit në pushtet. Shqiptarët nuk e kanë harruar se përfaqësuesi i diktaturës së Bagdadit ka qenë njeriu që e ka përkrahur, ndoshta ndër të rrallët në Lindjen e Mesme, por që e ka përkrahur hapur Millosheviçin gjatë luftës së Kosovës. Kjo ishte një arsye më tepër që Shqipëria të angazhohej praktikisht në terrenin e kësaj lufte.

Zëri i Amerikës: Juve keni shprehur gadishmërinë që të merrni në konsideratë shtimin e trupave në Irak. A është marrë ndonjë vendim për t’i shtuar ato së shpejti dhe si i mbulon shpenzimet e tyre qeveria shqiptare?

Pandeli Majko: Vendim-marrja është marrë në konceptim politik. Nga pikëpamja ushtarake, apo profesionale, cikli është pothuajse i mbyllur. Ne jemi gati si Ministri Mbrojtjeje t’i përgjigjemi kësaj vendim-marrjeje politike. Ka disa elementë të anës burokratike, apo më mirë të anës financiare që ne po i diskutojmë Ministrinë e Financave dhe Këshillin e Ministrave. Shpresojmë që kjo vendim-marrje do të jetë në karakterin e vet praktik.

Zëri i Amerikës: Ju patët gjatë qëndrimit këtu edhe një takim me Senatorin Lugar. Ndërkohë ai ka vlerësuar edhe në një seancë të kohëve të fundit, për konfirmimin e Sekretares së Shtetit, zonjës Rice bashkëpunimin e Shqipërisë për eliminimin e materialeve kimike në Shqipëri. Çfarë po bën Shqipëria për të verifikuar që nuk ka më të tilla materiale dhe si po shkon ky bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara?

Pandeli Majko: Problemi i armëve kimike ka qenë një moment që fillimisht ne e kemi ndarë konfidencialisht me përfaqësuesit e strukturave përkatëse këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej tyre kemi marrë këshilla sesi të procedojmë. Është një rast që konsiderohet si një nga sukseset më të mira të kohëve të fundit të bashkëpunimit të politikës amerikane me strukturat shtetërore të Shqipërisë dhe kjo tanimë ka krijuar edhe një fenomen jashtëzakonisht pozitiv, qoftë në Senat, qoftë në Kongresin amerikan. Kjo na u shpreh edhe në takimin që patëm me Senatorin Lugar, i cili e konsideron sukses të veçantë pikërisht mënyrën sesi Shqipëria orientoi transparencën për këtë problem, por nga ana tjetër edhe shembullin që dha vetë Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për Kosovën, për të cilën ky është një vit vendimtar për të ardhmen e saj. Sigurisht që Shqipëria ka një rol për të luajtur në rajon, por dihet si në komunitetin ndërkombëtar, si në rajonin e Ballkanit, se stabiliteti i Kosovës, është në bazë të stabilitetit të gjithë zonës, të gjithë rajonit. Çfarë roli mund të luajë Shqipëria në një pozicion të tillë dhe në një vit të tillë kaq vendimtar?

Pandeli Majko: Nuk besoj që kriza rajonale, apo ajo që duket si një status-quo e brishtë në rajon është e lidhur me krizën e Prishtinës. Kam përshtypjen dhe kjo është edhe përshtypja e faktorëve të tjerë, qoftë brenda, apo jashtë Shqipërisë, që ka disa momente krizash të cilat reflektohen në Prishtinë nga fqinjët e saj. Ka ikur ai lloj mentaliteti që Kosova shihej si një pikë delikate. Për shembull reflektimi i krizës që ndodh aktualisht në Beograd, reflektohet në marrëdhëniet me të gjithë në rajon, pasi ende ekziston sindroma e ndarjes së Jugosllavisë së vjetër, e cila vazhdon të reflektojë ato lëkundjet e veta të fundit. Ajo që mund të konsiderohet si problem në Kosovë aktualisht, është problemi i pavarësisë. Të gjithë po e kuptojnë që pavarësia është një fakt në Kosovë dhe problemi nuk është ta lejosh, apo të mos ta lejosh këtë fakt: problemi është ta pranosh, apo të mos ta pranosh këtë fakt. Faktori ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i qartë në lidhje me këtë situatë. Shpresojmë që shumë shpejt do të kemi një vendimmarrje për këtë, një vendimmarrje e cila tanimë ekziston në praktikë.

XS
SM
MD
LG