Lidhje

Dobjani: Institucionet të jenë në shërbim të qytetarëve, jo pronarë të të drejtave të tyre - 2005-02-03


Në fund të mandatit të tij të parë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Ermir Dobjani, thotë se institucioni që ai drejton ka ndikuar që institucionet ta kuptojnë se duhet të jenë në shërbim të popullit dhe jo pronarë të të drejtave të tyre. Zoti Dobjani, drejtuesi i parë i këtij institucioni të ngritur vetëm 5 vjet më parë, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ankesat e qytetarëve kanë sjellë ndryshime dhe përmirësime në vendime qeveritare dhe ligje, që kanë shkuar në të mirë të qytetarëve. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Dobjani tha se ka ende shumë ankesa për gjendjen në dhomat e paraburgimit në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Dobjani, ju ndodheni këtu në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve. Çfarë kuptimi ka për juve dhe për institucionin që ju drejtoni ftesa për të marrë pjesë në këtë ceremoni të përvitshme?

Ermir Dobjani: Ky është një eveniment i rëndësishëm, edhe për institucionin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, sepse unë e vlerësoj si dashamirësi të institucioneve dhe vlerësim të punës së Avokatit të Popullit nga institucionet amerikane, nga Kongresi amerikan që e organizon Mëngjesin e Lutjeve.

Zëri i Amerikës: Ju jeni në përfundim të mandatit të parë në këtë detyrë dhe mesa duket jeni edhe kandidatura më e fortë për mandatin e dytë. A mund të na thoni se cilat janë arritjet më të rëndësishme, mbase jo në detaje, por si institucion për Avokatin e Popullit?

Ermir Dobjani: Unë vlerësoj që ky institucion ka ndikuar shumë për transparencën e punës së organeve të administratës, që të ndikojë në mirëqeverisje, duke punuar fort me anë të rekomandimeve, sepse i vetmi mjet pune për avokatin e popullit janë rekomandimet dhe kërkesat dhe të bëjë më të përgjegjshme administratën publike dhe gjithë institucionet që u drejtohet, se ata duhet të jenë në shërbim të masave të popullit dhe jo pronarë të të drejtave të tyre.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre viteve në detyrë, cilat janë shkeljet më të shpeshta që ju keni hasur si nga administrata shtetërore, ashtu edhe nga bizneset private, ato pra që mund të kenë marrë formë të përsëritur ndaj personave, ose grupeve të personave që janë ankuar tek Avokati i Popullit?

Ermir Dobjani: Unë mund të përmend që ankesa të shumta këto pesë vjet ne kemi patur lidhur me çështjet e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, kemi patur ndaj organeve të policisë për forma të ndryshme keqtrajtimi dhe keqpërdorimi të pushtetit në këto organe, kemi patur në fushën e ambjentit, të ndërtimeve pa leje dhe të mosekzekutimit të vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje, ose cënimit të pronave të ndryshme të qytetarëve, kemi patur në fushën sociale dhe njëkohësisht mjaft ankesa kemi patur edhe në fushën e të drejtave të punonjësve.

Gjatë këtyre 5 vjetëve të punës si institucion Avokati i popullit ka pritur rreth 15 mijë ankesa, pas së cilave qëndrojnë shumë më tepër njerëz, sepse tek ne një ankesë regjistrohet, por mund të jenë me qindra njerëz që përfitojnë kur zgjidhet kjo ankesë. I bie që mesatarisht në zyrën tonë të bëhen 20 ankesa në ditë dhe është pozitive që në këto 5 vjet, 20 për qind e ankesave që janë pranuar, janë zgjidhur në favor të qytetarëve.

Vendime të Këshillit të Ministrave, ose ligje të ndryshme janë ndryshuar, përmirësuar me rekomandimin e Avokatit të Popullit dhe që kanë përfituar mjaft. Mund të përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u dha pas kërkesës sonë që vlera e truallit të tokës së ish-pronarëve të mos vlerësohej sipas çmimeve që vinte qeveria, por sipas kërkesës dhe ofertës. Nga një gjë e tillë përfituan të gjithë pronarët.

Shpesh herë ka ndodhur që në bazë të rekomandimeve tona, nëpunës ose zyrtarë policie janë shkarkuar, dërguar në gjyq. Mund të përmend që këto 5 vjet, mbi 50-60 oficerë policie janë ndëshkuar, ose ulur në detyrë, ose dërguar në prokurori vetëm mbi bazën e rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Po kështu ka patur edhe raste në administratën publike, ky zyrtarë të ndryshëm janë ndëshkuar me masa disiplinore, mbi bazën e rekomandimeve tona.

Zëri i Amerikës: Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International sapo ka publikuar një raport dje lidhur jo vetëm me trajtimin dhe keqtrajtimin nga ana e forcave të policisë. Sa shqetësues është ky problem dhe a keni pasur juve ankesa që kanë lidhje pikërisht me këtë dukuri në Shqipëri?

Ermir Dobjani: Shqetësimet e organizmave ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për keqtrajtimet nga forcat e policisë janë me vend. Ne gjatë punës tonë kemi qenë mjaft ekzigjentë ndaj ankesave për shkelje të të drejtave të njeriut nga organet e policisë dhe kemi patur mjaft rezultate në punën tonë dhe mund të them që nga viti në vit, këto shkelje kanë ardhur duke u ulur, pavarësisht se përsëri konstatohet nga raportet që ka shkelje. Por po t’i shikosh në raport me vitin 2000 kur ne filluam punë, nga viti në vit organet e policisë po bëhen më të përgjegjshme në raport me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Natyrisht ka shumë punë për të bërë, sepse edhe në vendet me demokraci të zhvilluar vazhdon të ketë shkelje në këtë fushë, por unë mendoj se kemi ndikuar mjaft për këtë dhe vazhdojmë të kemi në qendër të vëmendjes shkeljen e të drejtave të njeriut nga organet e policisë dhe të kontribuojmë mjaft për përmirësimin e rregullave, kushteve që këto shkelje të mos ndodhin.

Problematike tani për shembull është gjendja në dhomat e paraburgimit që akoma padrejtësisht administrohen nga ana e policisë sepse duhet të kishin kaluar me kohë në administrim të Ministrisë së Drejtësisë dhe ka ankesa edhe për keqtrajtime brenda këtyre dhomave, sidomos për kushtet në të cilat mbahen këta persona qoftë edhe për 24 orë, ose 72 orë, ose edhe afate më të gjata. Ne vazhdimisht jemi në kontakte me organet e policisë që këto kushte të përmirësohen.

XS
SM
MD
LG