Presidenti Bush e ka bërë reformimin e sistemit të pensioneve të Amerikës, një përparësi të dorës së parë gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Adminsitrata e Presidentit Bush thotë se Sistemi i Sigurimeve Shoqërore ndodhet në krizë dhe se duhet marrë masa para se programi të mbetet pa fonde. Gjendja e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore të Amerikës dhe debatin që zhvillohet midis ligjvënësve lidhur me përmirësimin e programit më të madh social të qeverisë.
Sigurimet shoqërore janë programi rreth 70-vjeçar i pensioneve, ndihmave për invalidët e të tjerë. Presidenti George Bush thotë se ky sistem po i afrohet rrënimit të tij të plotë financiar dhe presidenti Bush po e bën reformimin e këtij sistemi përparësinë kryesore në politikën e brendshme gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Presidenti ka zhvilluar fushatë në mbarë vendin, duke u thënë të rinjve të moshës 20 vjeçare se deri në kohën kur ata do të dalin në pension, në moshën 65 vjeçare, apo më vonë, ky sistem do të ketë falimentuar. "Dua të mendoni mbi sistemin e sigurimeve shoqërore, i cili do të degradojë, në se Kongresi nuk ka vullnetin e mirë për të vepruar tani", presidenti.
Por Doug Holtz-Eakin, drejtor i degës së studimeve politike të zyrës jo-partiake të Buxhetit në Kongres, thotë se ky problem është i zgjidhshëm.
" Sigurimet Shoqërore janë tepër elastik. Ka një numër të madh zgjedhjesh që do të vendosnin balancën mes përfitimeve dhe të ardhurave”
Nuk ka dyshim, se me kalimin e kohës, përfitimet do të tejkalojnë të ardhurat, në se nuk merren masa. Sipas vlerësimeve, parashikohet që përfitimet e plota nga Sigurimet Shoqërore mund të zgjatin deri në vitin 2042. Adminstrata e Sigurimeve Shoqërore thotë se në 13 vjet paratë e paguara në formën e përfitimeve, do të fillojnë të tejkalojnë sasinë e parave të grumbulluara nga pagesa e taksave. Një nga arsyet e ezaurimit të parave është se vala e parë e 77 milionë personave të lindur në fund të viteve ’40 dhe në fillim të viteve ’50 do të arrijë moshën minimale të pensionit në tre vjet. Dhe ndërsa një numër më i madh amerikanësh do të paguhen nga sigurimet shoqërore, do të ketë një numër më të vogël njerëzish që paguajnë taksa.
Një zgjidhje mund të ishte rritja e taksave, dhe një tjetër, sipas ekonomistëve mund të ishte pakësimi i përfitimeve.
Presidenti Bush ka në plan një zgjidhje më radikale: t’i lejojë të rinjtë amerikanë të investojnë në sektorin privat një të tretën ose më tepër të shumës që do të paguanin në formën e taksave.
Ligjvënësit e Partisë Demokrate e kundërshtojnë me forcë idenë e privatizimit të pjesshëm.
Udhëheqësi i Pakicës në Senat Harry Reid dhe homologia e tij në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelozi, thonë se do të udhëheqin luftën kundër planit të presidentit. " Të shkurojmë përfitimet? Kjo e vështirëson së tepërmi jetën për të moshuarit dhe prandaj kjo zgjidhje nuk më pëlqen aspak"
Analisti Patrick Basham thotë se reformimi i sistemit të sigurimeve shoqërore do të jetë një sfidë tepër e madhe për Presidentin Bush. "Problemi qëndron se, demokratët e kundërshtojnë me forcë këtë plan, por ata përbëjnë vetëm pakicën. Një gjë dihet, që Presidenti nuk do të sigurojë shumë vota të demokratëve. Por ndërsa presidenti nuk shqetësohet për të siguruar votat e të moshuarve për një rizgjedhje të tij, ligjvënësit republikanë e kanë këtë shqetësim për rizgjedhjen e tyre në vitin 2006".
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Bill Frist, ka besim se ligjvënësit mund të gjejnë një konsensus për ligjin që presidenti Bush mund ta nënshkruajë.
Disa anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët kjo çështje i shqetëson dhe që kërkojnë një mburojë politike, po i kërkojnë presidentit Bush t’u thotë pikërisht atë që ka në mendje amerikanëve dhe presidenti thotë se do të bëjë pikërisht këtë: "Sa më gjatë që të presim, aq më e kushtueshme do të jetë zgjidhja, prandaj pikërisht tani është koha të veprojmë".
Ligjvënësi republikan Bill Thomas i Kalifornisë, kryetar i Komitetit të Kongresit mbi Mënyrat dhe Mjetet, thotë se Presidenti përsëri mund të mos jetë i aftë ta bindë Kongresin që ta miratojë planin e tij.
Ligjvënësi Thomas dhe ligjvënës të tjerë republikanë po përpiqen të gjejnë mënyra të tjera, si zëvendësimi i taksave që mbahet nga paga e punonjësve e rritjen e moshës së pensionit në 70 vjeç tek shtimi i një plani për kursimet, si një mënyrë për financimin e pagesave nga Sigurimet Shoqërore në afat të gjatë. Por analistët thonë se për reformimin e Sistemit të Sigurimeve shoqërore do të duhet të bëhen shumë përpjekje politike gjatë 1 apo 2 viteve të ardhëshme.