Kryeministri Fatos Nano deklaroi sot se Maqedonia dhe Kosova duhet të jenë shembull i bashkëjetesës në rajonin e Ballkanit. Këto komente kryeministri i bëri gjatë një konference të organizuar nga Instituti i Marrëdhënieve ndërkombëtare të Francës ku ishte ftuar të mbante një fjalë rreth zhvillimeve në rajon.
"Popujt e Ballkanit, tha z.Nano, kanë sot ne duar nje shans historik qe te deshmojne se jane te afte te ndertojne nje te ardhme europiane, larg delireve te madheshtise dhe paranojave paragjykuese”.
Duke folur per objektivin e përbashkët të vendeve ballkanike për t’u bërë pjesë e Evropës së bashkuar, kryeministri shqiptar tha:
"Kosova sot eshte pjese e ketij procesi integrues; standardet para statusit eshte formula qe i hap rrugen asaj dhe gjithe qytetareve te atij vendi pa dallim etnik e fetar, drejt terminalit te fundëm, Brukselit", tha zoti Nano.
Sipas tij “pavaresisht nga ngjarjet e marsit te kaluar, klasa politike kosovare eshte plotesisht e emancipuar dhe ka nje vizion e orientim te kthjellet euroatlantik”.
Kryeministri shqiptar ka nisur që dje një vizitë zyrtare në Francë ku do të takohet nesër me presidentin Zhak Shirak, për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe por dhe për të kërkuar mbështetjen e Parisit për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.