Lidhje

Shqipëri: Takim i Partisë Socialiste për fushatën zgjedhore - 2005-01-15


Kryeministri Fatos Nano deklaroi sot se viti 2005 është shumë i rëndësishëm për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai tha gjatë një fjalimi para forumit të lartë drejtues të PS- KPD, se mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe fitorja e tyre prej socialistëve do të jenë një ndihmesë e ndjeshme për të çuar përpara reformat e nisura sipas standarteve të kërkuara euro-atlantike.

Zoti Nano paraqiti një seri shifrash ekonomike të krahasuara me vitin 1997, kur partia e tij mori pushtetin pas trazirave të dhunshme, si prova të një qeverisjeje të suksesshme. “Për 7 vjet që jemi në qeverisje kemi ulur inflacionin nga 47 për qind në më pak se 4 për qind; kemi ulur borxhin nga 13 për qind, në më pak se 5 për qind; kemi rritur kredinë e ligjshme dhe të kontrolluar prej bankave nga minus -1,2 miliardë dollarë amerikanë që i hëngrën piramidat në më shumë se 700 milionë dollarë tepricë, apo shtesë e kredisë së re për vitin 2004” - tha zoti Nano.

Kryeministri Nano deklaroi për herë të parë edhe një shifër record në uljen e papunësisë, e cila sipas tij, po shkon në kufij minimalë. “Një tjetër tregues sintetik I gjithë këtij progresi që kanë prodhuar politikat tona të zhvillimit dhe qeverisja jonë e përgjegjshme është reduktimi I papunësisë në 10 për qind, nëse llogaritim këtu si të punësuar edhe ata që, sipas ILO, punojnë 15 orë në javë në bujqësi” – tha zoti Nano.

Drejtuesi i qeverisë dhe partisë në pushtet hodhi si zakonisht një mori kritikash mbi PD e opozitës, për pengesat, që sipas tij, ajo sjell për reformat, duke e paraqitur si një rrezik të madh rikthimin e mundshëm të saj në pushtet.

Lëvizje të ngjashme me fushatat zgjedhore ka ndërmarrë këto ditë edhe opozita, me paraqitjen e disa strukturave të reja me ekspertë që do të përgatitin programe konkurruese.

Parlamenti miratoi disa ditë më parë hapat e reformës zgjedhore një grup amendamentesh në Kodin Zgjedhor, të hartuara me mirëkuptimin e dy forcave më të mëdha politike, në valën e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme, që vlerësohen si të rëndësishme për ecurinë e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG