Kryengritësit në Irak kanë shkallëzuar fushatën e tyre të dhunës në prag të zgjedhjeve, duke vrarë dy ndihmës të autoritetit më të lartë shiit të vendit, Ajatollahut të madh Ali Al-Sistani. Sheiku Mohmud al-Madai-ni, i biri i tij dhe katër truproja u qëlluan me armë zjarri dje kur po dilnin nga një xhami e Bagdatit.
Një tjetër ndihmës u gjet i vdekur në zyrën e Ajatollahut në Naxhaf. Ajatollahu al-Sistani nuk është kandidat në zgjedhjet e 30 janarit, por ai mbështet Aleancën e Bashkuar Irakiane, një koalicion me shumicë shiite i cili pritet të fitojë një numër të konsiderueshëm vendesh në asamblenë kombëtare. Shtëpia e Bardhë tha dje se zgjedhjet në Irak nuk do të jenë të përkryera, si rrjedhojë e dhunës, por shtoi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë ç’është e mundur për të krijuar kushtet për një pjesëmarrje të gjerë në votime.
Ndërkaq, persona të armatosur hapën sot zjarr në drejtim të një mikrobuzi para një hoteli në Bagdat, duke lënë të vrarë 6 persona dhe duke rrëmbyer një biznesmen turk. Nga zhvillime të tjera, policia thotë se persona të armatosur grabitën një bankë në Ramadi, nga ky vodhën një shumë dinarësh irakianë me vlerë afro 13 milion dollarë.
Presidenti i përkohshëm i Irakut Ghazi al-Yawar, ngulmon se zgjedhjet e më Irak do të mbahen më 30 janar siç ishte parashikuar. Ai u tha gazetarëve në Paris se pavarësisht nga rreziku që paraqesin kryengritësit, ai i inkurajon irakianët që të shkojnë në kutitë e votimit. Ai tha se qeveria e tij do të bëjë të pamundurën për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë “100 për qind të lira dhe të ndershme”. Zoti al-Yawar foli pas takimit me presidentin francez Jacques Chirac.
Presidenti i përkohshëm i Irakut dënoi rrëmbimin në Irak të gazetares franceze Florence Aubenas dhe përkthyesit të saj, që nuk dihet se ku janë që prej 5 janarit. Ai tha se qeveria irakiane po bën të pamundurën për të realizuar lirimin e tyre. Zyrtarët francezë vazhdojnë të mos ta cilësojnë rrëmbim, zhdukjen e tyre.