Presidenti Bush emëroi anëtarin e gjykatës federale të apeleve Michael Chertoff si sekretar të departamentit të sigurimit kombëtar.
Në një ceremoni sot në Shtëpinë e Bardhë presidenti Bush tha se zoti Chertoff ka një karrierë të pasur si prokuror dhe si ndihmës i prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Presidenti tha gjithashtu se zoti Chertoff ka ndihmuar në ndjekjen e terroristëve pas sulmeve të 11 shtatorit.
Zoti Chertoff ishte në krye të degës së kriminalistikës në departamentin amerikan të drejtësisë nga viti 2001 deri në vitin 2003 ku ai ndihmoi në hartimin e strategjisë ligjore të administratës së presidentit Bush në luftën kundër terrorizmit. Zoti Chertoff tha se do të jetë nder për të të udhëheqë departamentin e sigurimit kombëtar nëse miratohet nga senati. Që prej krijimit në vitin 2003, departamenti i sigurimit kombëtar drejtohej nga Tom Ridge i cili njoftoi se do të largohej gjatë mandatit të dytpë të presidentit.