Marinsat amerikanë mbërritën për herë të parë në qytetin indonezian Meulaboh të shkatërruar nga cunami.
Zyrtarët e Pentagonit thanë se një avion i marinës amerikane dhe 6 helikopterë filluan sot shpërndarjen e ushqimeve, ujit dhe pajisjeve mjekësore në qytetin e largët rreth 150 kilometra në jug të qytetit Banda Aceh.
Qyteti Meulaboh ndodhet në perëndim të Sumatrës dhe kishte mbetur i izoluar që nga cunami i 26 dhjetorit.
Ndërkohë, ushtria amerikanë ka rifilluar fluturimet e ndihmave në Banda Aceh pasi i kishte pezulluar për një kohë të shkurtër pas rrëzimit të një helikopteri. Gjithashtu, pjesa më e madhe e shkollave në Sri Lanka janë hapur për fillimin e vitit të ri shkollor.
Zyrtarët thonë se mijëra studentë në zonat bregdetare nuk do të mund të shkojnë në shkolla meqenëse shumë prej tyre u shkatërruan nga cunami.
Presidenti Bush komenton për ndihmat
Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të ndihmojnë viktimat e cunamit për një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Presidenti Bush tha se përpjekjet kanë filluar të përqëndrohen në rajonin e Banda Acehut në Indonezi.
Ai nuk premtoi ndonjë rritje konkrete të ndihmave nga Shtetet e Bashkuara duke thënë se ndihmat duhet të jepen në bazë të kërkesave. Presidenti Bush tha se përpjekjet e shpëtimit për viktimat e cunamit po hyjnë tani në fazën e dytë të rehabilitimit dhe rindërtimit.
Presidenti i bëri komentet sot pasi u informua nga sekretari i shtetit Colin Powell pas turneut së tij në vendet e Oqeanit Indian. Presidenti bëri gjithashtu një vizitë në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ku falënderoi punonjësit e agjencisë dhe përfaqësuesit e organizatave private të ndihmave për përpjekjet e tyre.
Ai tha se ata ishin në qendër të një gatishmërie të paparë në të gjithë botën.
Një zyrtar i lartë i USAID-it tha sot për Zërin e Amerikës se ata po përqendrohen tani në ndihmat afat-mesme si pastrimet, rehabilitimin e tokave bujqësore dhe programe të vogla kredish dhe parash për programe pune.
Ai tha se agjencia po siguron para edhe për programe kundër trafikimit të qenieve njerëzore.//ii