Lidhje

Sekretari Powell viziton zonat e rrënuara nga Cunami - 2005-01-03


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell shprehu tronditjen për zonat e rrënuara nga tsunami në Azinë Jugore, duke thënë se shkatërrimi ishte më i tmerrshëm edhe nga ato që ai kishte parë si ushtar gjatë luftës.

Zoti Powell tha se nuk mund ta imagjinonte tmerrin që kishin përjetuar banorët e Acehut 10 ditë më parë, kur tërmeti masiv nënujor përpiu qytete dhe fshatra të tëra. Numri i të vdekurve në Indonezi ka arritur në 100 mijë, pothuajse dy e treta e numrit të përgjitshëm deri tani të të vdekurve nga tsunami.

Sekretari Powell ka vizituar gjithashtu zona të rrënuara të Tailandës dhe pritet të premten të shkojë në Sri Lanka, ku u vranë mbi 30 mijë vetë.

Kombet e Bashkuara thanë sot se janë shënuar rezultate në dërgimin e ndihmës aq të nevojshme tek 5 milionë banorë në Azinë Jugore dhe në Afrikën Veriore.

Por zyrtarët ndërkombëtarë të ndihmave vazhdojnë të theksojnë se mungesa e ujit të pijshëm dhe e kushteve higjeno-sanitare ka shumë mundësi të sjellë shpërthimin e sëmundjeve.

Minuta zije në Evropë për viktimat e cunamit

Miliona njerëz në mbarë Evropën mbajtën tre minuta heshtje për viktimat e tragjedisë së cunamit aziatik. Flamujt u ngritën në gjysëm-shtizë dhe programet televizive u ndërprenë gjatë përkujtimit të viktimave.

Edhe transporti publik u ndërpre në disa qytete. Zyrtarët e Bashkimit Europian mbajtën heshtje në Bruksel, ndërsa në Vatikan, Papa Gjon Pali u lut për viktimat. Kryeministri britanik Tony Blair tha se qeveria e tij do të kontribuojë disa qindra miliona dollarë për vendet e prekura.

Ndërkohë Suedia mori viktimat e saj të para nga cunami, me arkivolet e mbështjella me flamurë që sillnin gjashtë persona. 52 suedezë janë konfirmuar të kenë vdekur. Vendi nordik mund të jetë vendi më i prekur në Evropë nga cunami, meqenëse 700 suedezë janë konfirmuar të kenë humbur ndërsa për 12 të tjerë nuk dihet asgjë.

XS
SM
MD
LG