Lidhje

Presidenti Bush ka filluar një nismë në shkallë vendi - 2005-01-03


Presidenti Bush thotë se nisma e re për grumbullim fondesh do të drejtohet nga dy ish presidentë - i ati i tij, George Herbert Walker Bush dhe ish presidenti demokrat Bill Clinton.

I shoqëruar nga dy ish presidentët në sallën Roosevelt të Shtëpisë së Bardhë, zoti Bush tha se u është mirënjohës të dyve që po marrin mbi vete një detyrë kaq të rëndësishme.

“Në ditët e ardhëshme, presidentët Clinton dhe Bush do t’u kërkojnë amerikanëve të bëjnë dhurime të drejtpërdrejta për organizata të njohura bamirëse të cilat janë angazhuar në ndihmën për viktimat e cunamit. Shumë prej këtyre organizatave kanë dërguar ekspertë në zonat e katastrofës. Ato kanë njohuri të hollësishme rreth fondeve që nevojiten për të plotësuar nevojat në terren.”

Presidenti Bush thotë se qysh tani, amerikanët po shfaqin bujarinë e tyre me kontributet që po u dërgojnë organizatave të ndihmave. Ai shpreson se kjo nismë e re që u drejtohet si individëve ashtu edhe korporatave, do të jetë një plotësim i mëtejshëm i ndihmës zyrtare amerikane.

“Nga përvoja, ne e dimë se asgjë nuk mund t’ua heqë dhimbjen njerëzve të prekur nga tragjedia. E dimë gjithashtu se amerikanët historikisht kanë treguar se janë të gatshëm për t’ju përgjigjur sfidave të mëdha humanitare dhe për t’u dhënë shpresë popujve që vuajnë. Tani që njerëzit, burra e gra, kudo në rajonin e shkatërruar po fillojnë punën e rindërtimit, ne ofrojmë bujarinë dhe sigurimin se Amerika do të jetë pranë tyre për t’i ndihmuar, tha Presidenti.”

Javën e kaluar, Presidenti Bush premtoi 350 milion dollarë në formën e ndihmës qeveritare amerikane për vendet e prekur nga fatkeqësia. Kjo shumë është 10 herë më tepër se sa 35 milion dollarët që Uashingtoni premtoi fillimisht.

Kjo shumë fillestare u bë objekt kritikash, duke marrë parasysh përmasat dhe pasurinë e Shteteve të Bashkuara krahasuar me kontributet e vendeve të tjera. Pati edhe kritika ndaj vetë presidentit që nuk i ndërpreu pushimet e tij në Teksas për t’u kthyer në Uashington.

Tani që është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush po e fillon javën e parë të vitit me një nismë të rëndësishme për ndihmat ndaj rajoneve të prekura nga cunami. Ai ka dërguar në Azi një delegacion amerikan të kryesuar nga sekretari i shtetit Colin Powell dhe nga vëllai i presidentit, guvernatori i Floridës, Jeb Bush.

Pas shpalljes së nismës së re, Presidenti Bush dhe ish presidentët Bush dhe Clinton vizituan ambasadat e Indisë, Indonezisë, Sri Lankës dhe Tailandës ku nënshkruan librat e ngushëllimeve për njerëzit që humbën jetën.

XS
SM
MD
LG