Lidhje

Shpërndarja e ndihmave, sfida kryesore  - 2005-01-01


Shefi i operacioneve humanitare të Kombeve të Bashkuara tha se sfida më e madhe në ndihmën ndaj viktimave të cunamit që goditi javën e kaluar Azinë jugore është shpërndarja e ndihmave.

Jan Egeland tha se shpërndarja e ushqimeve, ujit dhe pajisjeve mjeksore po bëhet me vështirësi. Ai bëri thirrje që helikopterët dhe anijet të vrapojnë kundër kohës për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara.

Ai tha se numri i të vdekurve nga cunami pritet t’i kalojë 150 mijë. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se sëmundje të tilla si kolera dhe tifoja mund ta dyfishojnë këtë numër.

Sasi të mëdha ndihmash po depozitohen në aeroportet rajonale për shkak se rrugët, urat dhe aerodromet janë dëmtuar rëndë. Shpërndarjen e ndihmave po e pengon edhe mungesa e karburanteve.

Ushtria amerikane ka filluar shpërndarjen e ndihmave në ishullin indonezian të Sumatrës që është goditur rëndë dhe ku fshatarë të uritur e të pastrehë kanë sulmuar helikopterët me ndihma.

Rreth 100 paslëkundje kanë goditur rajonin pas tërmetit të së djelës por asnjë prej tyre nuk ka shkaktuar cunami.

XS
SM
MD
LG