Lidhje

Ngjarjet më të rëndëshme në 2004ën - 2004-12-26


Disa nga ngjarjet më të mëdha të vitit 2004 kishin të bënin me tragjedinë personale të njerëzve dhe me shkatërrimi, si akte të ndryshme terrorizmi dhe katastrofa natyrore. Megjithatë, ngjarja që mbizotëroi gjatë 2004-ës ishte gjendja në Irak .

Viti 2004 ishte i mbushur me lajme për luftën në Irak. Një valë e vazhdueshme dhune mbizotëroi e kombinuar me sulme vetëvrasëse në rritje të kryera nga kryengritësit ndaj ushtarëve amerikanë, oficerëve të policisë irakiane dhe civilëve që punojnë për Shtetet e Bashkuara. Bombat në anë të rrugës dhe sulmet e befasishme qenë taktika që u përdorën shpesh për të sulmuar autokolonat ushtarake amerikane. Qindra ushtarë amerikanë dhe irakianë u vranë.

Në Mars të 2004, Shtetet e Bashkuara ia transferuan kontrollin e vendit qeverisë kalimtare të Irakut. Në Maj, skandali i abuzimeve në burgun Abu Ghraib, mbizotëroi mediat kudo në botë. Organet amerikane të medias nxorrën në qarkullim fotografi tronditëse, që tregonin të burgosur irakianë duke i torturuar dhe duke i detyruar të merrnin poza poshtëruese. Fotografitë ishin marrë nga ushtarë amerikanë. Keqtrajtimet e tyre, që u dënuan nga Presidenti Bush, sollën ndryshime në atë burg dhe dënime për ushtarët amerikanë.

Në korrik, ish-udhëheqësi i Irakut Saddam Husseini doli për herë të parë në gjyq. Saddami mbajti një qëndrim sfidues para prokurorëve që duan që ai të dënohet nën akuzat për genocid dhe vrasje masive. Ish-Presidenti irakian i hodhi poshtë akuzat dhe pritet që procesi ndaj tij të fillojë pas fillimit të funksionimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të vitit 2005.

Në fund të vitit, ushtria amerikane ndërmori një operacion masiv njëjavor në bazën e kryengritjes, Falluxha. Forcat amerikane u angazhuan në luftime të ashpra me kryengritësit që e përdornin qytetin si bazë operacionesh. Falluxha u vendos nën kontrollin amerikan dhe atje u gjetën arsenale armësh. Sipas njoftimeve, mbi 1000 kryengritës u vranë, por edhe ushtria amerikane pati një nga shifrat më të larta të viktimave që nga fillimi i luftës.

Edhe pjesë të tjera të botës u goditën nga terrorizmi. Në shtator, ekstremistë të armatosur çeçenë morën peng mbi 1 mijë e 200 fëmijë, prindër dhe mësues në një shkollë në Beslan të Rusisë. Pas ditësh me negociata, komandot ruse hynë me forcë në shkollë dhe liruan qindra pengje, në një sulm që nuk ishte planifikuar. Mbi 300 vetë, shumica fëmijë, u vranë dhe 700 të tjerë u plagosën

Në mars, 200 persona u vranë në Madrid të Spanjës kur një grup i lidhur me al-Kaidën aktivizoi bomba në trena plot me pasagjerë. Sulmet u kryen tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të Spanjës, në të cilat kryeministri Jose Maria Aznar humbi.

Sudani i Afrikës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme, për shkak të një krize të rëndë humanitare, pas një fushate dyvjetore dhune etnike të shkaktuar nga forca të armatosura arabe të mbështetur nga qeveria, kundër fermerëve të fiseve zezake. Sipas njoftimeve, 70 mijë njerëz u vranë dhe mbi 1 milionë u shpërngulën në rajonin e Darfurit në perëndim të vendit. Organizatat ndërkombëtare të ndihmave ndërmorën operacione masive ndihmash për refugjatët, që kishin lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve.

Ky vit pati edhe një nga stinët më të rënda të uraganeve dhe stuhive tropikale prej dekadash, në Oqeanin Atlantik dhe në ishujt Karaibe. Nëntë stuhi të fuqishme goditën vende si Haiti dhe 4 uraganë masivë goditën zona të Floridës në Shtetet e Bashkuara. Stuhia shkaktoi qindra viktima, dëme të mëdha materiale dhe dëmtoi ekonominë e rajonit.

Në lajme të tjera ekonomike, çmimet e naftës u rritën 33 për qind në vitin 2004, duke arritur rekordin 55 dollarë për fuçi. Ndikimi i rritjes së çmimeve së naftës bruto, shkaktoi rritjen e çmimit të karburantit në shumë pjesë të botës dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Në fund të vitit, çmimet u ulën dhe u stabilizuan, pasi vendet prodhuese të naftës, shtuan sasinë e prodhimit.

2004-a ishte vit i zgjedhjeve historike. Në Afganistan, miliona vetë morën pjesë në votime në zgjedhjet e para presidenciale të vendit. Afganët zgjodhën Hamid Karzain në postin e presidentit, tre vjet pasi forcat amerikane filluan atje luftën për përmbysjen e regjimit taleban. Në Shtetet e Bashkuara, pas një fushate të ashpër presidenciale mes kandidatit republikan, George Bush dhe rivalit të tij demokrat, Senatorit John Kerry, votuesit zgjodhën Presidentin Bush për një mandat të dytë. Zoti Bush tha se kishte fituar kapital politik me këtë fitore dhe do ta përdorte në një numër programesh të brendshme, përfshirë reformën e sistemeve të pensioneve dhe taksave.

Në pjesën tjetër të botës, zgjedhjet në Ukrainë u vunë në qendër të vëmendjes. Përplasjet mes dy kandidatëve kryeministrit Viktor Yanukovich që mbështetej nga Kremlini dhe udhëheqësit të opozitës Viktor Yushchenko që mbështej nga perëndimi, duket se vunë përballë dy kampet e Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim.

Në vitin 2004 pati gjithashtu festime të mëdha gjatë lojërave të 28-ta Olimpike në Athinë. Katër miliardë teleshikues ndoqën udhëtimin e flakës olimpike deri në vendin ku lindën këto lojra.

XS
SM
MD
LG