Lidhje

Lufta kundër korrupsionit përparësi kryesore në gjithë botën - 2004-12-24


Kostoja globale e korrupsionit kap shifrën e një trilion dollarëve, vetëm në rryshfete. Korrupsioni shteron thesaret, vonon zhvillimin, madje ka edhe lidhje me përqindjen e lartë të vdekshmërisë së foshnjeve. Të gjitha këto e bëjnë luftën kundër korrupsionit një nga përparësitë kryesore në gjithë botën. Por çfarë po bëjnë vendet dhe individët për ta mbajtur korrupsionin nën kontroll.

Gjenaral Suharto i Indonezisë...Ferdinand Marcos nga Filipinet...dhe Mobutu Sese Seko nga ish-Zaireja, përfaqësojnë disa nga udhëheqësit më të korruptuar në historinë moderne. Eksperti për qeverisje globale Daniel Kaufmann i Bankës Botërore i quan ata kleptokratë që rrënuan vendet e tyre. Por ai thotë se fytyra e korrupsionit po ndryshon.

“Në shumë vende sot falë një lëvizjeje drejt demokracisë, udhëheqësi ka integritet dhe problemi i korrupsionit është ende shumë i rëndë”.

Për shembull, në Nigeri, presidenti i zgjedhur në rrugë demokratike Olesegun Obasanjo dhe kabineti i tij përballen me detyrime politike në një mjedis ku korrupsioni është i rrënjosur thellë. Dhe përdorimi i metodave tradicionale për të luftuar këtë dukuri, nuk funksionon.

“Kur ka një problem të madh me korrupsionin në vend, ngrihet një institucion i ri dhe krijohet një komision, ose një agjenci anti-korrupsion, shumë fonde shkojnë në këtë drejtim. Nuk shohim ndonjë përparim të madh nga kjo mënyrë”.

Në Bankën Botërore, një ide e re është që të përmenden publikisht kompanitë që nuk veprojnë sipas rregullave.

“Nuk është ndonjë sekret që kemi bërë gabime në të kaluarën dhe që disa projekte të financuara nga Banka Botërore janë prekur. Tani jemi bërë shumë më të rreptë”.

Banka Botërore ka krijuar një linjë telefonike anonime për të marrë informacione. Pastaj e ndalon aktivitetin e kompanive që gjenden fajtore dhe ua publikon emrat në faqe interneti. Interneti dhe teknologjia mund të ndihmojnë vendet që të kenë transparencë.

“Në Kili 80 për qind e individëve po i plotësojnë formularët për taksat në internet, ndoshta numri më i lartë në botë”.

Kjo do të thotë që qeveria grumbullon më shumë para për zhvillim. Por lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë. Mary Boyle e organizatës amerikane Common Cause, çështja e përbashkët do që çdo shtetas t’i mbajë nën mbikqyrje zyrtarët publikë dhe t’i mbajë ata përgjegjës kur të hedhë votën.

“Ne u kërkojmë njerëzve që t’i shkruajnë letra kryeredaktorit të gazetës lokale, t’u telefonojnë kompanive, domethënë u kërkojmë që të bëjnë një sërë veprimesh që ta çojnë mesazhin tek njerëzit në pushtet dhe të ndikojnë në opinionin publik”.

Nëse kjo metodë ka efekt apo jo, ekspertët thonë se kontrolli qytetar luan një rol kritik për të mbajtur korrupsionin nën kontroll. Dhe të dhënat e fundit tregojnë se në vendet e varfra, edhe përmirësimet më modeste në kontrollin e korrupsionit mund të katërfishojnë të ardhurat për frymë. Edhe vetëm ky rezultat duhet t’i bindë njerëzit të veprojnë.

“Sipas pikëpamjes sime, vendet duhet të veprojnë me mën agresivitet. Ne nuk e humbim durimin, por vendet dhe shtetasit e tyre veçanërisht ata që kanë mbetur mbrapa, po humbin trenin e globalizimit dhe qeverisjes së mirë. Për ata kjo duhet të jetë periudha e nxitimit”.

Zoti Kaufamn shton se lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht punë e qeverisë, apo e Bankës Botërore. I takon çdo eksportuesi, biznesmeni, gjykatësi dhe qytetari të ndërtojë një botë me integritet.

XS
SM
MD
LG