Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen-Petersen ka nënshkruar ligjin për regjistrimin e popullsisë, duke i hapur rrugën përgatitjeve për organizimin e këtij procesi të rëndësishëm për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, bëri të ditur sot administrata e OKB-së në Prishtinë.
Ligji për regjistrimin e popullsisë dhe banesave në Kosovë qartëson se regjistrimi do të japë informacion për numrin e popullsisë dhe shpërndarjen gjeografike të saj, strukturën demografike dhe karakteristikat kryesore sociale dhe ekonomike të saj dhe numrin e shtëpive të banuara. Sipas këtij ligji, gjithë informacioni personal i dhënë nga banorët e Kosovës do të mbahet plotësisht konfidencial.
Kryeadministratori ka vendosur nënshkrimin e kësaj rregulloreje, e cila vë në fuqi ligjin e miratuar nga parlamenti për këtë çështje, pas rekomandimeve të njëzëshme të një komisioni tre-anëtarësh, për t'u siguruar që të gjitha komunitetet të kenë mundësi të regjistrojnë veten, familjet e tyre dhe objektet e banimit.
Të dhënat demografike që do të dalin nga regjistrimi i popullsisë do të japin një bazë të fuqishme për zhvillimin e një numri politikash qeveritare, që lidhen me reformën në pushtetin vendor dhe zhvillimin ekonomik. Regjistrimi i popullsisë dhe objekteve të banimit do të bëhet nga Zyra Statistikore e Kosovës, e mbështetur nga administrata ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Procesi i regjistrimit do të vëzhgohet nga një komitet i përbërë nga zyra statistikore, qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e komuniteteve, UNMIK-u dhe agjensi të tjera ndërkombëtare. Ky komitet do të themelohet në muajt e parë të vitit të ardhshëm dhe do të sigurojë që në një kohë sa më të shkurtër, të bëhen rregullimet e nevojshme ligjore dhe institucionale për regjistrimin e popullsisë dhe objekteve të banimit.