Një kompani pak e njohur ruse bleu një filial të rëndësishëm të gjigandit të naftës Yukos për 9 miliard e 300 milion dollarë.
Kompania Baikal Finans Grup fitoi ndaj konglomeratit Gazprom në ankandin për shitjen e filialit të Yukos-it.
Nuk dihet nëse kompania fituese në ankand ka lidhje me kompaninë Gazprom të kontrolluar nga shteti apo përfaqëson investitorë privatë.
Investitorët e huaj të Yukosit u përpoqën ta pezullonin ankandin duke e shtruar çështjen në gjykatat amerikane. Por Rusia nuk e përfilli vendimin e gjykatave amerikane dhe nuk i ndryshoi planet për ankandin i cili synonte pagimin e një pjese të taksave të prapambetura prej 27 miliard dollarësh që kompania i ka shtetit.
Problemet ligjore të Yukosit shihen gjerësisht si veprim i qeverisë kundër ish drejtuesit të kompanisë Mikhail Khodor-kovski, i cili mbështeste kundërshtarët politikë të presidentit Vladimir Putin.
Biznesmeni i naftës ndodhet tani në burg në Rusi, duke pritur gjykimin nën akuzat për mashtrim dhe evazion fiskal.