Gjykatësit irakianë kanë filluar marrjen në pyetje të 11 prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Sadam Huseinit në përgatitje të gjyqeve për krime lufte të ish regjimit.
Kryegjykatësi tha se kushëriri i Sadamit, Ali Hassan al-Majid i njohur gjithashtu si ”Aliu Kimik” doli sot para gjykatësve së bashku me ish ministrin e mbrojtjes të Sadamit, Gjeneral Sulltan Hashim Ahmad. Në këto seanca do të hetohen akuzat e ngritura kundër këtyre dy personave, do të shqyrtohen provat dhe do të përcaktohet nëse ata duhet të dalin në gjyq ose jo. Me sa duket Sadami do të jetë i fundit që do të gjykohet.
Akuzat zyrtare kundër “Aliut Kimik” apo ish ministrit të mbrojtjes nuk janë shpallur akoma, megjithatë ka mundësi që ato të përfshijnë krime kundër kurdëve dhe shiitëve si dhe pushtimin e Kuvajtit gjatë vitit 1990.