Lidhje

Një ekspert gjerman thotë se përplasjet mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës paralizojnë politikën në Shqipëri  - 2004-12-14


Një ekspert gjerman i çështjeve të Ballkanit thotë se rivaliteti mes Kryeministrit Fatos Nano dhe kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha paralizon politikën në Shqipëri, por se është shpresëdhënës angazhimi i një grupi të rinjsh në politikë. Doktor Franz-Lothar Altman, kreu i seksionit të Ballkanit në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurisë në Berlin tha se përzierja e politikanëve me interesat e biznesit, disa herë të paligjshëm e dëmton imazhin e vendit dhe i bën institucionet evropiane të ngurrojnë në partneritetin me këta politikanë. Doktor Altman, i tha koleges sonë Keida Kostreci se një gjë e tillë vështirëson gjithashtu investimet në vend.

Duke folur për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Shqipëri, doktor Altman tha në një bisedë telefonike nga Berlini, se ai mendon se ato do të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe demokratike, por shprehu shqetësimin për klimën politike në vend.

“Në parim strukturat demokratike funksionojnë, por ende ekziston ajo situata e pakëndshme e luftës mes dy elefantëve zotit Nano dhe zotit Berisha që në një farë mënyre paralizon politikën”, tha ai.

Zoti Altman, shprehu optimizëm për angazhimin e një grupi të rinjsh në jetën politike dhe e quajti shpresëdhënëse një dukuri të tillë.

“Të shohim se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme, nëse edhe vetë brenda partive kryesore do të ketë ndryshime para zgjedhjeve, nëse grupe të reja brenda partisë do të konsolidohen dhe shpresojmë që edhe me Bashkimin Evropian deri nga mesi i vitit të ardhshëm do të jenë marrë disa vendime për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, kështu që të ketë edhe nga jashtë më shumë mbështetje për Shqipërinë”, tha ai, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve është ende i hapur, prandaj i gjithë procesi është interesant.

Doktor Altman sapo ka përfunduar një vizitë në Shqipëri, ku mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të gjashtë vendeve ballkanike për harmoninë ndërfetare dhe ndëretnike dhe ka vënë re hendekun mes shumicës që kanë vështirësi të përballojnë jetesën dhe një grupi të kufizuar që jeton në luks, disa herë në sajë të bizneseve të dyshimta.

Zoti Altman thotë se të huajve si ai, kur dëgjojnë për lidhjet e qarta mes biznesit dhe politikës, u lindin dyshimet nëse angazhimi i tyre bëhet me njerëzit e duhur atje, partnerët e përshtatshëm për të bërë diskutime, dhe nëse kjo është një dukuri kaq e përhapur.

“Dhe nëse sheh që në mënyrë të veçantë politikanët duket se përfitojnë shumë, megjithëse jo të gjithë, por shumë përfitojnë nga posti i tyre politik, kjo dëmton imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë si vend në synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të tërhequr investimet”, tha ai.

Për këto arsye tha ai shoqëritë evropiane janë të shqetësuara nëse investime në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit bëhen në një mënyrë të qartë dhe transparente, apo nëse rryshfetet janë pjesë e jetës së përditshme, veçanërisht jetës së përditshme të biznesit.

Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë, ku zoti Altman drejton seksionin e Ballkanit, është një organizatë e pavarur studimesh që këshillon Bundestagun dhe qeverinë gjermane për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë. Zoti Altman është gjithashtu Drejtor i Bordit të Shoqatës Gjermane për Studime të Evropës Lindore.

XS
SM
MD
LG