Lidhje

Zëri i Faik Konicës në Bibliotekën e Kongresit - 2004-12-10


Biblioteka e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Washington, organizuan dje një aktivitet, ku folësit kryesorë ishin Grant Garden Harris, Specialist i Divizionit Evropian në Biblioteka e Kongresit dhe Ministri i Kulturës i Shqipërisë, Blendi Klosi. Në takim u transmetua edhe një kasetë me zërin e Faik Konicës, që gjendej në arkivën e Bibliotekës së Kongresit, që mendohet të jetë i vetmi regjistrim i shqiptaroamerikanit të shquar.

Në fillim të takimit, pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë një regjistrim të zërit të Faik Konicës, në vitin 1939, në kohën kur ai ishte ambasdor i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Konica i dha një intervistë rrjetit NBC. ku ai dënoi pushtimin fashist të Shqipërisë në vitin 1939:

Robert Baukhage(gazetar i NBC-së): A keni ndonjë mesazh për t’i thënë popullit amerikan?

Faik Konica:”Nuk kam ndonjë mesazh, nuk dua të dramatizoj situatën. Ajo flet vetë. Do të doja t’ju falënderoja ju dhe kompaninë e transmetimit tuaj që më jap rastin të flas. Ekzistojnë shumë lidhje mes Amerikës dhe Shqipërisë. Ne nuk e kemi haruar misionin tuaj të Kryqit të Kuq në vendin tonë. Lëvizja e shqiptarëve për pavarësi u frymëzua nga idealet amerikane, krahas me kujtimet tona të së kaluarës. Ishin refugjatët shqiptarë në SHBA, që i dhanë fuqinë kësaj lëvizjeje. Siç tha sot Sekretari juaj i Shtetit, ”Pushtimi i vendit tim është një shkelje ndaj vullnetit të popujve të botës, ndaj paqes.”

Ky mendohet të jetë regjistrimi i vetëm i zërit të Faik Konicës, që ndodhej në arkivën e Bibliotekës së Kongresit. Intervista është regjistrim i 8 prillit të vitit 1939, kur Konica ishte ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, post të cilin ai e mbante që nga viti 1926.

Grant Garden Harris, Specialist i Divizionit Evropian në Bibliotekën e Kongresit dha një biografi të shkurtër të Faik Konicës, të cilin ai e cilësoi si një shqiptaro-amerikan të shquar. Konica, tha zoti Harris, njihet edhe si botues i gazetave në gjuhën shqipe ”Shqipëria”në Bruksel dhe asaj ”Dielli” të Bostonit. Ai vdiq në Washington, në vitin 1942, por vetëm pas përmbysjes së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u varrosën në atdhe, duke çuar kështu në vend amanetin e tij.

I ftuar për të mbajtur një leksion në Bibliotekën e Kongresit ishte edhe Ministri shqiptar i Kulturës, Blendi Klosi, i cili foli mbi një iniciativë të re të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Ministri Klosi tha se Unioni ballkanik i Ministrave të Kulturës synon të bëhet një rrjet në nivelin politik për marrjen e vendimeve në fushën e kulturës, pjesëmarrësit e e të cilit do të jenë përfaqësuesit për të lartë politikë të kulturës së vendeve pjesëmarrëse.

Ky union, tha zoti Klosi, synon t’i japë një nxitje shpirtit të dialogut, paqes, mirëkuptimit dhe politikave të integrimit në rajonin e Ballkanit. Kjo, tha ministri Klosi, do të arrihet nëpërmjet ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta kulturore, duke ndihmuar në këtë mënyrë në afrimin e kulturave dhe nxitjen e bashkëjetesës dhe paqes në vendet ballkanike, nëpërmjet respektimit të identitetit dhe shumëllojshmërisë së kulturave në këto vende.

XS
SM
MD
LG