Lidhje

Ambasadorja Ris: SHBA do të angazhohen në procesin elektoral dhe qeverisjen e Shqipërisë - 2004-12-08


Ambasadorja amerikane në Tiranë Marsi Ris deklaroi sot se angazhimi i shteteve të Bashkuara do të përqëndrohet në procesin elektoral dhe qeverisjen e mirë. Këto komente ambasadorja Ris i bëri gjatë prezantimit të një projekti tre-vjeçar për demokracinë dhe qeverisjen të Agjencisë amerikane për Institucione Demokratike USAID. Ambasadorja Ris shpjegoi se një nga qëllimet e projektit është të ndihmojë shqiptarët që të arrijnë një transparencë dhe një llogaridhënie më të madhe në qeverisjen e tyre për të korrigjuar keqmenaxhimin financiar, nepotizmnin dhe shkeljet që kryhen nga zyrtarët publikë.

Përmirësimi i standarteve demokratike, i qeverisjes dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë në qendër të një projekti që u prezantua sot nga USAID e që do të përfshijë shumë aktorë të jetës politike, civile dhe të medias shqiptare. Duke folur për marrëdhëniet dhe ndihmën e Shteteve të Bashkluara ndaj Shqipërisë ambasadorja amerikane Marsi Ris theksoi se shumë gjëra kanë ndryshuar në vend në këto 14 vitet e fundit, por një gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë tha ajo: “Angazhimi i Shteteve të Bashkuarapër të ndihmuar përparimin e Shqipërisë në një nivel të ri duke u përqëndruar në procesin elektoral dhe qeverisjen e mirë”.

Edhe projekti i prezantuar sot shpjegoi ajo, ka për qëllim që të ndihmojë Shqipërinë të konsolidojë dhe zgjerojë arritjet e saj në reformën politike e që t'i ngrejë më lart ato: “Ky projekt ka për qëllim që të ndihmojë shqiptarët që të arrijnë një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në qeverisjen e tyre. Ka për qëllim theksoi ajo, që të ndihmojë shqiptarët të identifikojnë dhe korrigjojnë keqmenaxhimin financiar, nepotizmin, konfliktin e interesave dhe shkeljet që kryhen nga zyrtarët publikë”.

Në Shqipëri shtoi ambasadorja amerikane, Shtete e Bashkuara "duan të ndihmojnë në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të një ekonomie të lirë të tregut, duke trajtuar gjithashtu problemin e korrupsionit".

Për Shtetet e Bashkuara, ashtu si dhe për Bashkimin Evropian zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptare do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit: "Shpresojmë që të ndihmojmë Shqipërinë që të mbajë zgjedhje për të cilat të gjithë të bien dakort se janë të lira dhe të drejta. Zgjedhje që përmbushin standartet ndërkombëtare për të çuar më tej aspiratat e shqiptarëve për integrim euroatlantik", deklaroi ambasadorja Ris.

Prezantimi i projektit të USAID-it bëhet 24 orë para Ditës Botërore antikorrupsion të shpallur nga organizata e Kombeve të Bashkuara. Për këtë qëllim OKB ka financuar aktivitete të posacme në 14 vende të botës mes të cilave dhe Shqipëria, ku nesër Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka paralajmëruar një miting në kryeqytet.

Presidenti Moisiu komenton mbi korrupsionin në sistemin gjyqësor

Presidenti shqiptar Alfred Moisiu deklaroi sot se sistemi gjyqësor shqiptar vazhdon të shfaqë probleme me rastet e abuzimit me detyrën apo korrupsionit. Duke folur në konferencën kombëtare gjyqësore, kreu i shtetit bëri thirrje për një pavarësi të plotë të sistemit të drejtësisë dhe shkëputjes së tij nga ndikimet politike. Presidenti Mosisiu kritikoi edhe presionet që sipas tij ushtrohen nga qeveria me bllokimin e rrogave, apo buxhetit për gjyqësorin.

Sa herë që në Shqipëri flitet për drejtësinë, nuk mund të shmanget shqetësimi për problemet e këtij sistemi, që ende nuk ka arritur të përcjellë as besimin më të vogël te qytetarët.

Duke folur sot në Konferencën Kombëtare të Gjyqësorit, presidenti Alfred Moisiu tha se "rastet rastet e konstatuara të abuzimit me detyrën, të familjarizimit të gjyqtarëve me palët apo avokatët e tyre, të gjykimit në zyra apo më keq, të përfshirjes në akte korruptive, tregojnë se gjyqësori shfaq ende probleme negative të etikës dhe të profesionalizmit të tij. Edhe komunikimi me median në dëm të ligjit, sekretit të hetimeve dhe procesitgjyqësor dëmton dhënien e drejtësisë dhe imazhin publik", theksoi kreu i shtetit.

"Gjatë 13 viteve të tranzicionit, u shpreh presidenti Moisiu, janë harxhuar mjaft energji në emër të reformave dhe ndryshimeve. Tani – shtoi ai - qytetarët duan t’i prekin rezultatet e këtyre reformave, të ndjenjë nga afër të mirat e ndryshimit të sistemit dhe të besojnë se janë krijuar strukturat e nevojshme të shtetit të së drejtës. Kur kjo nuk ndodh, pra kur qytetarët gjejnë një realitet tjetër, ku akoma mungon drejtësia në nivelin e duhur dhe besimi tek ajo, ku marrin jetë korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, atëherë – tha presidenti Moisiu - ata kanë të drejtë të jenë kritikë dhe ta shprehin pakënaqësinë e tyre në të gjitha format demokratike".

Kreu i shtetit kërkoi që "procesi i pavarësisë së plotë të drejtësisë dhe mbyllja përfundimtare e derës për politikën të çohet deri në fund. Dhënia e drejtësisë është jetike për vendin, theksoi presidenti Moisiu, pasi pa drejtësi nuk ka as shtet të së drejtës, stabilitet të vendit, zhvillim normal ekonomik dhe as integrim Euroatlantik".

Presidenti nuk hezitoi të kritikonte edhe qeverinë. Pavarësisht se "ka një zhvillim pozitiv në drejtim të investimeve ato janë të pamjaftueshme, u shpreh ai, duke e quajtur të papranueshme gjendjen në të cilën ushtrojnë aktivitetin e tyre një pjesë e gjykatave përfshirë atë të krimeve të rënda, ku kushtet e punës nënvizoi presidenti, janë ende larg normalitetit dhe atyre qëkërkon ligji".

Dy ditë më parë, institucionet e drejtësisë shqiptare u ankuan për buxhetin e mangët që është parashikuar për to në vitin e ardhshëm dhe i kërkuan parlamentit plotësimin e kërkesave të tyre.

Por presidenti nuk u ndal vetëm në kushtet e punës dhe mungesën e fondeve. Ai kritikoi qeverinë për "raste flagrante të presionit politik nëpërmjet bllokimit të rrogave dhe buxhetit të shtetit; një veprim të cilin ai e cilësoi si cënim të pavarësisë ë gjyqësorit dhe që bie ndesh me kushtetutën".// lk //

XS
SM
MD
LG