Miliona amerikanë i nënshtrohen çdo vit, endoskopisë, procesi i kontrollit të ezofagut me një tub të gjatë elastik që shkakton dhimbje dhe trazim për pacientin. Procedura zgjat disa orë dhe shpesh herë është e nevojshme që pacienti të marrë anestezi, si dhe të kalojë disa orë pas procesit për ta marrë veten. Por deri tani kjo ka qenë e vetmja mënyrë për të zbuluar problemet në sistemin tretës. Kjo pilulë është një shpikje e re që përmban një kamera të vogël në të dyja skajet, shpjegon Dr. Virenda Sharma e Klinikës Mayo.
"Ky është thuajse një mini stacion televiziv. Këtu në mes shihet një njollë e zezë që është kamera, ndërsa përreth saj është drita që tregon se po xhirohen pamjet."
Kapsula me kamera është një procedurë që nuk shkakton dhimbje tek pacienti. Duhet vetëm një gotë ujë për ta gëlltitur kapsulën dhe 20 minuta kohë që të zhvillohet procesi.
Pasi pacienti gëlltit kapsulën, ajo kalon nëpër ezofag ku bën 14 fotografi në sekondë. Kamera ia transmeton pamjet një receptori që mban në bel pacienti. Menjëherë pas procedurës, pacienti mund të largohet nga zyra e mjekut, shpjegon Dr. Sharma.
"Është njësoj si të gëlltisësh një aspirinë."
Disa mjekë shpresojnë që pilula me kamera të fillojë të përdoret edhe në proceset e mjekimit, jo vetëm të diagnostikimit. Por për momentin, kjo pilulë është një alternativë e mirëpritur për pacientët të cilët mund t’i shpëtojnë dhimbjeve dhe orëve të gjata të qëndrimin në klinikë.
Për dekada me radhë shkencëtarët kanë debatuar rreth aftësisë së trurit për t’u rigjeneruar. Më parë mendohej se pacientët që kishin humbur disa aftësi të caktuara si rrjedhojë e dëmtimit të trurit nuk kishin shpresë rigjenerimi. Por klinika e Universitetit Alabama në Birmingham, po e ndryshon këtë pikëpamje.
Pacientët kanë ardhur nga mbarë Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një program pionier për personat me dëmtime në tru. Nikole von Ruden është një mësuese 34-vjeçare nga Pismo Beach e Kalifornisë.
"Kur erdha këtu më pyetën se ç’dëshiroja të arrija. Shumë nga njerëzit duan të kenë mundësi të kryejnë nevojat e përditshme."
Dy vjet më parë Nikola u diagnostikua me një tumor të paoperueshëm në një pjesë të trurit që kontrollon shumë funksione të trupit. Mjekimi i vetëm ishte terapia me rreze. Ky mjekim i shpëtoi jetën, por i shkatërroi mijëra qeliza të shëndetshme në tru, duke e lënë të paralizuar në anën e djathtë.
Përmes terapisë fizike Nikola arriti të ecë përsëri. Por kontrolli në krahun dhe dorën e djathtë nuk i është kthyer. Nikola nuk kishte shumë shpresë. Dr. Edward Taub, është neurolog në Universitetin e Alabamës.
"Të gjithë pacientët që vinë tek ne, kanë marrë prognoza negative në klinika të tjera se nuk do të kenë përmirësim, shpjegon Dr. Edward Taub. Ai shton se nga studimet e tij ka zbuluar se truti është shumë më i adaptueshëm se mendohej më parë. Ai mendon se ka zbuluar një mënyrë për të rigjallëruar qelizat e dëmtuara të trurit.
Mjekimi ynë bazohet në bllokimin e funksionit të dorës së shëndoshë gjatë 90 për qind të kohës aktive.
Përmes këtij mjeti bllokohet funksionimi i gjymtyrëve të padëmtuara duke e detyruar pacientin të përdorë gjymtyrët e dëmtuara. Për katër orë rrjesht, për pesë ditë me radhë në sesione terapie, pacientët duhet të kryejnë në mënyrë të përsëritur detyra të thjeshta. Si rezultat në tru ndodhin rigjererime të përhershme.
Dr. Taub thotë se lëvizjet e përsëritura ndihmojnë në rizgjimin e qelizave të dëmtuara të trurit duke i stimuluar të formojnë rrugë të reja për përcjelljen e mesazheve.
Vetëm në 10 vjetët e fundit është bërë e qartë se veprimet intensive mund të ndryshojnë strukturën, funksionin dhe organizimin e sistemit nervor. Po ta shpjegosh me një metaforë: bëhet një shtrim i ri telave në tru.
Sot është dita e fundit e procesit të mjekimit të Nikolës. Ajo tani mund të hapë frigoriferin, sirtarin. Për Nikolën përparime të tilla, funksione të thjeshta që janë tani të realizueshme flasin për një sukses të madh.
//ze//