Profesorët e dy universiteteve kryesore të vendit, të cilët janë hedhur në një grevë pa afat që prej më shumë se dy javësh refuzuan sot propozimet e qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Sipas tyre deklarata e djeshme e qeverisë është spekullative. Ata e konsideruna plotësisht të realizueshme kërkesën për përfshirjen e pagave të stafeve akademike në piramidën shtetërore të pagave dhe njftuan se greva do të vazhdojë sërish pavarësisht thirrjes së qeverisë për të rinisur mësimin.
Marrëdhëniet mes qeverisë dhe përfaqësuesve të universitetve shqiptare janë rikthyer në pikën e fillimit. Propozimet e djeshme të grupit ndërdikasterial të ngritur me urdhër të kryeministrit Fatos Nano për të shqyrtuar kërkesat e profesorëve janë hedhur poshtë sot.
Mbrëmë ministri i shtetit Marko Bello paraqiti një paketë masash që qeveria angazhohej të merrte si përgjigje ndaj kërkesave të profesorëve dhe pedagogëve të universiteteve shqiptare. Sipas zotit Bello e vetmja pikë që hidhej poshtë ishte kërkesa për rritjen e pagave:
"Lidhur me kërksën për dyfishimin e pagave të profesoratit dhe stafit mbështetës, qeveria konsideron këtë kërkesë të paarsyeshme dhe të parealizueshme pasi fatura financiare e këtij propozimi është përafërsisht e barabartë me reth 60 përqind të fondit të parashikuar për politikën e pagave për vitin 2005", tha zoti Bello.
Por sot komisioni ndëruniversitar që ka zhvilluar bisedime me qeverinë e cilësoi si spekulim një qëndrim të tillë. Në deklaratën e këtij komisioni të lexuar nga profesor Stavri Shkurti, saktësohej se pedagogët nuk kërkojnë dyfishimin e pagave por klasifikimin e vendve të punë në shërbimin civil:
"Shifrat e deklaruara nga grupi ndërdikasterial janë spekulative sepse shtesa e pagave të punonjësve akademikë, ndihmës dhe administrativë, për përfshirjen e tyre në piramidën e pagave, është rreth 5 milion dollarë, një shifër e papërfillshme kundrejt asaj të shpenzimeve të buxhetit të shtetit për 2005 që është rreth 2.1 miliard dollarë," theksohej në deklaratë.
Qeveria deklaroi mbrëmë se me ofertat e saj garantohej ligjërisht dhe institucionalisht autonomia e plotë e arsimit të lartë shqiptarë, por profesorët e universiteteve nuk janë të një mendjeje. Ata deklaruan sot se do të vazhdojnë grevën:
"Ne kërkojmë që të zbatohet ligji që është në fuqi për arsimin e lartë dhe që garanton autonominë e plotë institucionale dhe financiare të shkollës së lartë. Duke parë qëndrimin refraktar dhe totalisht të papërgjegjshëm të qeverisë në drejtim të rimëkëmbjes së arsimit tonë të lartë, lëvizja jonë ndëruniversitare deklaron se greva vazhdon," theksuan profesorët.
Greva e universiteteve, e cila ka përfshirë jo vetëm Tiranën por edhe disa rrethe të tjera ka hyrë në javën e saj të tretë. Protesta e profesorëve kishte nisur që në muajin tetor nga Universiteti politeknik. Greva e tanishme ishte paralajmëruar nga disa ndërprerje ditore të mësimit dhe ajo mori përmasa më të mëdha pasi nuk u arrit të gjendej asnjë zgjidhje me ministrinë e Arsimit.