Analistët politikë thonë se gara presidenciale e kohëve të fundit tërhoqi një numër të madh besnikësh nga të dyja partitë, të cilët kishin opinione të qëndrueshme lidhur me çështje dhe kandidatë të ndryshëm.
Personi, të cilin presidenti Bush e quajti arkitektin e rizgjedhjes së tij të sukseshme, Karl Rove, rrallëherë është në qendër të vëmendjes. Megjithatë, ai kohët e fundit u evidentua për një kohe, pas fitores së Presidentit Bush. Në një program të televizionit Fox, ai theksoi idenë se republikanët mund të jenë në pushtet për dekada të tëra. "Do të doja ta shihja Partinë Republikane të jetë partia dominuese për cilëndo kohë që historia i jep shanse të jetë. Kështu është. Unë kam besim tek parimet e Partisë Republikane."- thotë Rove.
Rreth 60 milionë amerikanë votuan për Presidentin Bush, i cili siguroi më tepër vota se cilido president i Shteteve të Bashkuara. Megjithëse rivali i tij, Senatori John Kerry mori 3 milionë e gjysëm vota më pak, votat e siguruara prej tij do të kishin qenë të mjaftueshme për të fituar presidencën në të gjitha zgjedhjet e mëparshme presidenciale. Në zgjedhjet presidenciale të këtij viti morën pjesë numri më i madh i votuesve në historinë e Shteteve të Bashkuara, rreth 60 për qind. Përse që të dy kandidatët mundën të siguronin një numër kaq të madh votash?
Tim Hibbis është një nga organizatorët kryesorë të anketimeve të pavarura në shtetin perëndimor të Oregonit. Ai thotë se numri jashtëzakonisht i madh i përkrahësve, apo besnikëve të të dyja partive solli një numër më të madh votuesish në kutitë e votimit. "Jam i mendimit se zgjedhjet e fundit u karakterizuan nga një numër i madh përkrahësish të të dyja partive dhe jam i mendimit se një numër i madh njerëzish, të cilët u identifikuan në mënyrë të qartë si republikanë, apo demokratë, mbështetën me forcë kandidatin e emëruar nga partia e tyre."-thotë Hibbis.
Të dhënat nga një studim afatgjatë i Universitetit të Miçiganit tregojnë se numri i besnikëve të të dyja partive ka ardhur duke u rritur që nga fundi i viteve ’70. Nicholas Valentino, profesor i shkencave politike në Universitetin e Miçiganit, thotë se sot një në tre amerikanë i përkasin ose partisë republikane, ose asaj demokrate. "Numri i njerëzve që në vitin 1978 thoshin se ishin përkrahës të fuqishëm të një partie ishte 23 për qind. Numri i njerëzve që thonë se janë përkrahës të një partie, tani është 33 përqind. Pra, kemi të bëjmë me një rritje të këtij numri."-thotë Valentino.
Profesori Valentino thotë se anketimet e zhvilluara pas zgjedhjeve treguan për një tjetër prirje në këtë fushë: një rritje të numrit të votuesve të pavarur. Megjithatë, nocioni se deri një e treta e votuesve amerikanë janë të pavarur, nuk është tregues i saktë. Shumica mbajnë anën e njërës, apo tjetrës parti. Vetëm një në 10 amerikanë, janë të gjithë të pavarur, dhe nuk identifikohen kurrë me ndonjërën prej partive, duke thënë se janë kryesisht neutralë, ose të pavarur.
Anketuesi Tim Hibbits shton se të dy partitë kryesore politike po mbështesin çështje të ndryshme në fushën ideologjike. "Në një farë mase, partitë dhe çështjet po përzihen me njëra tjetrën. Më parë, në gjirin e të dy partive dallonim krahun liberal, më të moderuar brenda Partisë Republikane dhe një krah më konservator brenda Partisë Demokrate. Tani partitë po dallohen nga njëra tjetra më tepër për çështje ideologjike."
Por Larry Sabato, Drejtor i Qendrës për Politikat në Universitetin e Virginias, thotë se probleme sociale, si martesa mes personave të të njëjtit seks dhe aborti, nuk ishin aq të rëndësishme në zgjedhjet e fundit presidenciale, siç njoftuan mediat. "Të thuash që anketimet pas zgjedhjeve u përqendruan në vlerat kulturore dhe morale, kjo është thuajse qesharake. Kjo çështje ka ekzistuar për shumë vite me radhë dhe nuk ishte çështja kryesore. Terrorizmi dhe Iraku deri tani kanë qenë çështjet kryesore."
Zoti Sabato thotë se lufta globale kundër terrorizmit ka shtuar edhe më tepër qëndrimet partiake. Ai mendon se prirja drejt përkrahësve më të fuqishëm të dy partive do të vazhdojë të forcohet. Kjo do të çojë në shtimin e ndryshimeve midis demokratëve dhe republikanëve.// lk //