Komisioneri i përkohshëm për median në Kosovë, Bob Gilet, i tha Zërit të Amerikës, se mediat duhet të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve të fshehtë.
Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e zyrës së komisionerit të përkohshëm për median dhe kjo zyrë përmes një këshilltari po u kujton mediave në Kosovë se nxjerrja e identitetit të dëshmitarëve të fshehtë që mund të rrezikojë dëshmitarët, është një çështje shumë serioze.
Gjykata e Hagës ka mundësinë që të ndëshkojë dikënd që nxjerr identitetin e këtyre dëshmitarëve me 7 vjet burgim dhe gjobë prej 100 mijë eurosh, vë në dukje zoti Gilet.
”Ne gjithashtu kemi disa nene në rregulloret tona që ndalojnë publikimin e identitetit të cilido individ nëse ai informacion do të kërcënonte jetën e tyre apo që do ti vinte në rrezik ato”, thotë komisioneri i përkohshëm për median.
Zoti Gilet vlerëson se pas ngjarjeve të marsit dhe raportimit për to, janë nxjerrë mësimë të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë sipas tij, në Kosovë nuk ka kufizime në lirinë e shprehjes. Media në Kosovë po punon në bazë të rregullave që po përpiqemi të zbatojmë këtu, pohon komisioneri i përkohshëm për media, Bob Gilet. Ai thotë se media në Kosovë po vepron në mënyrë të përgjegjshme dhe se nuk bëhet fjalë për censurë.
”Askush nuk është i interesuar për censurë, askush nuk është i autorizuar ta bëjë këtë, censura thjesht nuk është përgjigja ndaj problemit në raportim”, thekson komisioneri i përkohshëm për media Bob Gilet.