Lidhje

Qeveria amerikane akordon një fond prej 400 mijë dollarësh për procesin zgjedhor në Shqipëri - 2004-11-24


Qeveria amerikane akordoi një fond prej 400 mijë dollarësh në mbështetje të procesit të verifikimit dhe regjistrimit të votuesve në Shqipëri.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u shpreh sot edhe një herë se zgjedhjet e vitit 2005 janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e institucioneve demokratike në vend dhe të ardhmen e integrimit të Shqipërisë.

Prodhimi i hartave të dixhitalizuara të rajoneve të vendit që do të realizohen nëpërmjet fotografimit nga ajri do të jetë një tjetër mjet shtesë në duart e autoritetve shqiptare për të ndihmuar në procesin e verifikimit dhe regjistrimit të votuesve. Për këtë do të përdoret një fond prej 400 mijë dollarësh i akorduar nga qeveria amerikane, e cila iu përgjigj me shpejtësi kërkesës së bërë vetëm pak ditë më parë nga ministri i Pushtetit Vendor, Ben Blushi. Projekti përfshin prodhimin e hartave për 30 qendra urbane dhe rifreskimn e 12 hartave satelitore, në të cilat do të përcaktohet qartë vendodhja e çdo objekti deri dhe të qendrës së votimit.

Ky financim konfirmon vëmendjen e veçantë që komuniteti ndërkombëtar po i kushton zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2005, të cilat siç përsëriti edhe një herë sot Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Marsi Rise janë të një rëndësie të madhe për të ardhmen e vendit:

"Qëllimi i këtij projekti është të japë ndihmesë në përgatitjen e listave të votuesve që do të bëhet nga qeveria shqiptare. Ofrimi i këtyre hartave besojmë se do ta bëjë këtë process më të lehtë, më efektiv dhe më të saktë. Zgjedhjet parlamentare do të jenë të rëndësishme për Shqipërinë dhe është e rëndësishme që ato të jenë të drejta e të lira. Zgjedhja të tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e institucioneve demokratike, por dhe për aspiratat euroatlantike të integrimit të Shqipërisë", tha ambasadorja Rise.

Ajo tha se këto harta do të mund të përdoren më pas edhe për sistemin e adresave apo planifikimin urban duke saktësuar se megjithatë është përgjegjësi edhe e vetë qytetarëve shqiptarë që të regjistrohen për të votuar dhe për këtë duhet të bashkëpunojnë në procesin e verifikimit derë më derë që ka nisur në të gjithë vendin.

Ministri i Pushtetit Vendor Ben Blushi deklaroi se është i kënaqur nga ecuria e procesit i cili duhet të përfundojë më 28 shkurt:

"Mund të raportoj sot se mbi 90 përqind e grupeve të identifikimit janë në terren për të verifikuar derë më derë shtetasit, po ashtu jam i kënaqur të konstatoj se të gjitha njësitë vendore po i përgjigjen me shumë impenjim kësj fushate të regjitrimit të shtetasve dhe kjo është premisa kryesore për të përfunduar procesin e verifikimit brenda 28 shkurtit".

Për procesin e verifikimit dhe regjistrimit të votuesve qeveria shqiptare ka akorduar 1.5 milion dollarë, ndërsa një javë më parë edhe Bashkimi Europian dha një financim prej 800 mijë eurosh. Ky financim do të përdoret nga OSBE-ja në një project për të ndihmuar në rishikimin e listave të votuesve në 20 bashki dhe komuna të vendit. Projekti synon krijimin e një rrjeti ekspertësh në terren, ndihmë në rifreskimin e listave dhe informimin e zgjedhësve rreth vend-ndodhjes se qendrës së tyre të votimit.

//ze//

XS
SM
MD
LG