Lidhje

Gjenerali Sattler: ofensiva i ka thyer keqas kryengritësit në Falluxha - 2004-11-18


Kryekomandanti i marinsave amerikanë në Irak thotë se ofensiva e përbashkët e forcave amerikane dhe atyre irakiane në Falluxha i ka thyer keqas kryengritësit.

Gjeneral-lejtnanti John Sattler u tha sot gazetarëve se operacioni 11-ditësh i dëboi kryengritësit nga strofkat e tyre, duke e bërë të vështirë për ta të veprojnë. Ai tha se Falluxha nuk është ende e sigurtë dhe, edhe pse ka filluar hyrja e ndihmave humanitare në qytet, është ende shpejt për kthimin e banorëve.

Trupat janë të pranishme në mbarë Falluxhan dhe po shkojnë shtëpi më shtëpi duke kontrolluar për armë dhe lëndë shpërthyese. Gjenerali Sattler tha se një marins dhe një ushtar irakian u vranë sot nga zjarri i armikut gjatë kontrollit. Vdekja e tyre e ngre në 51 vetë numrin e amerikanëve të vrarë bashkë me 8 trupat irakiane, që nga fillimi i ofensivës.

Ndërkohë, persona të armatosur kryen shpërthime me bombë në Bagdad dhe Kirkuk, duke shkaktuar vdekjen e 4 personave. Në Mosul, gjithashtu, 4 roje janë plagosur në një sulm me mortaja kundër zyrës së guvernatorit.// lk //

XS
SM
MD
LG