Lidhje

Bisedë me protagonisten e filmit Skënderbeu, aktoren Adivije Alibali  - 2004-10-30


Komuniteti shqiptar veçanërisht ai në shtetin Masaçusets është një nga më të larmishmit në Shtetet e Bashkuara. Pjestarët e tij janë në moshë të re e të vjetër, që ndodhen këtu rishtas apo prej vitesh. Gjatë një vizite në Boston, kolegu ynë Astrit Lulushi u takua rastësisht dhe bisedoi me një zonjë nga Shqiperia. Quhet Adivie Alibali, një nga pionieret e artit koreografik shqiptar, aktore në rolin e Mamicës në filmin Skënderbeu, valltare e balerinë e njohur në vitet ’50 e ’60 dhe më pas e hedhur tej në kampe pune e internimi dhe e lënë qëllimisht në harresë nga regjimi komunist.

Pas përfundimit të shërbesës të së dielës në kishën shqiptare orthodokse të Shën Gjergjit në Boston, at Arthur Liolini takohet me këtë grua, Adivia Alibali e veshur me të zeza. Para pak kohesh ajo humbi bashkëshortin e saj, Jusuf Alibali, një nga intelektualet e njohur, i cili që prej vitit 1975 kaloi nëpër kalvarin e vuajtjeve, burgimeve dhe internimeve familjare gjatë regjimit komunist. Dhe cila ishte arsyeja? “Kërkonin që me dënimin e tij të friksonin intelektualët e tjerë në atë kohë. Vitet e internimit, e them te drejtën, ishin të vështira pasi ishim të izoluar. Njerëzit kishin frikë të na flisnin. Vetëm natën vinin e na pyesin në se kishim nevojë për ndonjë gjë. Kemi vuajtur për bukën e gojës dhe fshehurazi banorët e fshatit na sillnin ushqime. Unë dilja për të mbledhur kamomil që e shisja për të fituar diçka. Çfarë të them, ishte tmerr.” tregon zonja Alibali.

Në këtë mirëpritje, në këtë kishë shqiptare në Boston, zonja Alibali sikur gjen ngushëllimin e Perëndisë, për humbjen e bashkëshortit të saj, të cilit nuk iu nda për asnjë çast. Pas shërbesës së të dielës, Kancelari i kishës ortodokse shqiptare amerikane të Shën Gjergjit në Boston, At Artur Liolini e pret me ngrohtësi dhe e prezanton para të pranishmëve që ndodheshin në sallë.

“Kjo është Mamica, Mamica Katsrioti, motra e Skënderbeut. A e keni parë filmin Skënderbeu, i cili fitoi çmimin në festivalin e filmit në Kanë në vitet 1950? Adivia ka luan rolin e Mamicës” u tregon At Liolini të pranishmëve.

Të gjithë e shohin me habi dhe të gëzuar nxitojnë kush e kush ta takojë më parë. Zonja Alibali lindi ne Tirane, bijë e familjes se njohur Sharofi nga Dibra e Madhe. Adivija është një nga pionieret e para të artit koreografik shqiptar, që në vitin 1947, thotë ajo. Në vitin 1950 ajo zgjidhet nga regjizorët rusë e shqiptarë për të luajtur rolin e Mamicës në filmin Skënderbeu. Emri i saj u la qëllimisht në harresë nga regjimi komunist, por njerëzit e thjeshtë e nderuan atë duke e thirrur Mamicë.

“Në fakt shumë njerëz edhe sot mendojnë se rolin e Mamicës e ka luajtur një artiste ruse. Filmin unë per herë të parë pas disa vjetesh e pashë në fshatrat e Beratit ku isha e internuar. Filmi u shfaq në një nga sallat e kooperativës. Të nesërmen kur dola në rrugë, fëmijët e fshatit më thanë, ‘Po moj teta përse të kanë internuar, spese ke vrarë turqit?’ Kjo për mua ishte për të qarë e për të qeshur”, thotë zonja Alibali. “Shume nga aktorët kryesorë shqiptarë të filmit Skënderbeu, tashmë kanë vdekur. Gjallë janë Besa Imami, që ka luajtur rolin e Donika Kastriotit.” vazhdon tregimin e saj zonja Alibali. Po me aktorët rusë ç‘bëhet?

“Deri në vitin 1960 para prishjes me sovjetikët ne mbanim korrespondencë me aktorët rusë të filmit. Unë kam kujtime shumë të mira. Isha më e reja, 18 vjeç, ndër aktorët kryesorë dhe të gjithë më thërrisnin “motër”, tregon zonja Adivie Alibali. Aktori gjeorgjian Akaki Horava që luajti rolin e Skënderbeut, vdiq në vitin 1972 pas afro 65 vjet karriere skenike e në kinematografi.

Zonja Alibali thotë se është e padrejtë që filmi Skënderbeu të mos cilësohet si filmi i parë shqiptar vetëm se ai është një prodhim i përbashkët i shqiptaro-sovjetik. Ajo shton se kinostudioja Shqipëria e Re ka punuar me të gjitha burimet dhe forcat e saj artistike për realizimin e këtij filmim prandaj kinematografia artistike shqiptare duhet ta quajë këtë realizim si filmin e saj të parë. “Ata që bëjnë të kundërtën” thotë zonja Alibali “i bëjnë nje mohim dhe dëm të madh artit dhe kulturës shqiptare.”

Duke folur për gjendjen e kinematografisë shqiptare sot, zonja Alibali thotë se populli shqiptar është shumë artdashës dhe kurrë nuk i kanë munguar talentet. Por arti kinematografik ka nevojë jo vetëm për dashuri por edhe për sponsorizime e përkrahje financiare, veçanërisht nga biznesmenët që Shqipërisë sot nuk i mungojnë.

Zonja Alibali thotë se filmi Skënderbeu ka nevojë për një restaurim të thellë pasi nuk është ruajtur me kujdesin që kërkon një film i tillë, i cili është jo vetëm filmi i parë arstistik shqiptar por edhe filmi i vetëm kushtuar heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

XS
SM
MD
LG