Në Shqipëri Presidenti Alfred Mosiu është sulmuar ashpër nga opozita pas dekretimit të kandidaturës së deputetit republikan Robert Çeku në postin e Kryetarit të Kontrolit të Lartë të Shtetit. Sot Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se presidenti Moisiu është kthyer në një përçarës të kombit që nuk respekton as rregullat më elementare të pluralizimit, duke e akuzuar se ka bërë marrëveshje me kryeministrin Fatos Nano. Nga ana e saj, presidenca sqaroi sot se zgjedhja e zotit Çeku është bërë me anë të një procesi transparent dhe pas një periudhe tre-mujore konsultimesh.
Një rrebesh sulmesh dhe kitikash po derdhet që prej dy ditësh mbi Presidentin Moisiu. Kandidatura delikate e Kryetarit të ri të Kontrollit të lartë të Shtetit e ka vënë atë dhe një herë në shenjestër të opozitës. Kandidatura e deputetit republikan Robert Çeku është kundërshtuar hapur nga e djathta, përfshirë këtu edhe nga vetë Partia Republikane.
Arsyetimi i Partisë Demokratike është i thjeshtë. Nëse do të vendosej një emër i së djathtës, atëherë duhej të ishte opozita që të bënte propozimin. Kështu që kandidatura e zotit Çeku, konsiderohet nga Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha si një marrëveshje tjetër mes Presidentit dhe Kryeministrit Fatos Nano: “Presidenti në misionin e tij nga president konsensual ka marrë përsipër të jetë president i përçarjes, një përçarës i vërtetë, primitiv, që nuk respekton as parimet themelore të pluralizimit. Të emërosh anëtarë të opozitës me votat e Fatos Nanos, do të thotë të mos kesh nocionet me elementare të nocioneve të demokracisë”, tha zoti Berisha.
Nga ana e saj, presidenca u përgjigj sot duke sqaruar se procesi i përzgjedhjes së kandidatit të propozuar zgjati më shumë se tre muaj dhe përfshiu të gjithë spektrin politik e institucional në vend.
Në sqarim shpjegohet se Presidenti është njohur edhe me kandidaturat e sugjeruara nga forca të ndryshme politike dhe shoqeria civile, të cilat janë janë përfshirë në procesin e bisedimeve politike, por nuk është arritur të gjendet mbështetja e nevojshme për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe në përfundim të konsultimeve, shkruhet në sqarim, presidenti vendosi të propozojë kandidaturën e preferuar të tij për postin e kryetarit të KLSH-së.
Sipas kësaj rezulton se kandidatura e zotit Çeku u përzgjodh pasi kreu i shtetit është siguruar se ajo do të ketë mbështetjen e parlamentit. Por në një kohë kur dihej paraprakisht se opozita nuk do e pranonte, atëherë kuptohet se garancitë për ta pranuar këtë kandidaturë janë dhënë nga shumica e majtë. Përndryshe rrëzimi i zotit Çeku nga ana e të gjitha forcave politike do të ishte një dështim i plotë i presidentit të Republikës.