Lidhje

10 ditë larg zgjedhjeve presidenciale - 2004-10-23


Presidenti Bush dhe rivali i tij demokrat Xhon Kerri shfrytëzuan sot fjalimet e tyre të përjavshme në radio për të bërë fushatë elektorale për zgjedhjet që janë vetëm 10 ditë larg. Presidenti Bush tha se votuesit duhet të zgjedhin atë për një mandat tjetër 4 vjeçar, pasi ai e ka bërë vendin më të sigurtë që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. “Rruga më e sigurtë për të fituar ndaj armikut është të qëndrojmë në ofensivë. Në epokën e armëve të shkatërrimit në masë, të presësh derisa kërcënimi të vijë në prag të derës është njësoj sikur të presësh që të ndodhë shkatërrimi. Tiranët dhe terroristët nuk do të na njoftojnë para se të godasin. Përsa kohë që unë të jem komandat i përgjithshëm, unë do t’u kundërvihem rreziqeve jashtë, që të mos detyrohemi t’i përballojmë ato brenda vendit.”

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush vuri përsëri në dyshim aftësinë e senatorit Kerry për të udhëhequr vendin, duke thënë se rivali i tij demokrat ka një mënyrë shumë të gabuar perceptimi të asaj që duhet për të luftuar terrorizmin. “Kohët e fundit Senatori Kerry u pyet se si e ka ndryshuar atë 11 shtatori dhe ai u përgjigj se “nuk e ka ndryshuar shumë”. Dhe pikëpamja e tij e pandryshuar për botën bëhet e qartë kur ai e quan luftën kundër terrorizmit “kryesisht një operacion zbulimi dhe rendi”. Ky është një koncept shumë i rrezikshëm. Ne duhet të përdorim gjithë burimet dhe gjithë fuqinë tonë në luftën kundër terrorizmit.”

Në javën e tij të fundit të fushatës elektorale presidenti Bush citoi komentin e Senatorit Kerry për 11 shtatorin por pa e çuar deri në fund citimin. Senatori Kerry ka thënë se sulmet e 11 shtatorit nuk e kanë ndryshuar shumë, por duke shtuar se ai nuk ka ndryshuar pasi ishte që më parë i shqetësuar për terrorizmin, për shkak të viteve që ka punuar në Komisionin e Senatit për Zbulimin.

Gjatë fjalimit të tij të sotëm në radio, senatori Kerry u përqëndrua më shumë në çështjet e brendshme duke u përpjekur të tërheqë votueset gra, që zakonisht mbështesin kandidatët demokratë. “Xhorxhi Bushi thotë shpesh se të jesh president është një punë e vështirë. Por para se ankohet për vete, ai duhet të qëndrojë një ditë me ato gra që mezi e përballojnë jetesën.”

Senatori Kerri tha se politikat ekonomike të presidentit e kanë bërë më të vështirë për gratë që punojnë për të siguruar jetesën.

“4 milionë e 500 mijë gra mezi e përballojnë jetesën me pagën minimale. Dhe rreth 2 milionë e 500 mijë kanë rënë në varfëri vetëm gjatë 4 vjetëve të fundit. Dhe administrata e presidentit Bush pretendon se kjo është ekonomia më e mirë që kemi patur ndonjëherë dhe se humbja e vendeve të punës është një mit.”

Presidenti Bush zhvilloi fushatë në shtetin e Floridës sot para se të shkonte në Teksas në fermën e tij. Nesër presidenti Bush shkon në shtetin Nju Meksiko.

Senatori Kerri beri sot fushatë në Kolorado, Teksas dhe Nju Meksiko. Nesër Senatori Kerri shkon në Ohio.

XS
SM
MD
LG