Lidhje

SHBA do të përdorë Programin Nunn-Lugar për asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri - 2004-10-22


Në vazhdën e përpjekjeve për të zhdukur kërcënimin nga armët e shkatërrimit në masë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të përdorin Programin Nunn-Lugar për të asgjësuar armët kimike në Shqipëri. Kjo është hera e parë që ky program përdoret jashtë ish Bashkimit Sovjetik.

Kongresi amerikan miratoi vitin e kaluar Aktin për Zgjerimin e Programit Nun-Lugar të Bashkëpunimit për Pakësimin e Kërcënimit, autori i të cilit është Senatori Dick Llugar. Akti autorizon presidentin të përdorë deri në 50 milionë dollarë nga fondet e programit për veprimtari jashtë territorit të ish Bashkimit Sovjetik. Presidenti Bush ka nënshkruar autorizimin për zbatimin e këtij programi edhe në Shqipëri.

Zoti Llugar, kryetar i komisionit të Senatit amerikan për marrëdhënie me jashtë, shprehu kënaqësinë që Presidenti Bush ka përqafuar konceptin Nunn-Lugar dhe ka mbështetur përpjekjet për zbatimin e tij në gjithë botën. Rusia do të vazhdojë të jetë objektivi i tij kryesor, por duhen trajtuar edhe rreziqet që po paraqiten në Lindjen e Mesme, Azi dhe në vende të tjera. Programi Nunn-Lugar, tha ai, ka zhvilluar një aftësi të veçantë për të përballuar një numër kërcënimesh të ndryshme dhe jam shumë i kënaqur që ai do të përdoret për të trajtuar këtë kërcënim të veçantë që paraqet Shqipëria. Unë, theksoi zoti Lugar, përshëndes udhëheqjen shqiptare, e cila kërkoi ndihmën e Shteteve të Bashkuara për t’i shkatërruar këto armë të rrezikshme.

Senatori Llugar ishte në Shqipëri më 27 dhe 28 gusht të këtij viti për t’u takuar me udhëheqës shqiptarë dhe për të vizituar qendrën për magazinimin e armëve kimike, e cila ka marrë tashmë ndihmë amerikane edhe për të përmirësuar sigurinë përreth depos. Në takimin me Kryeministrin Nano, Ministrin e Jashtëm Islami dhe Ministrin e Mbrojtjes Majko, Senatori Llugar diskutoi rreth nevojës që Programi Nunn-Lugar të ndihmojë Shqipërinë për të shkatërruar arsenalin e saj të armëve kimike. Pritet që projekti të përfundohet brenda dy vjetësh dhe të kushtojë rreth 20 milionë dollarë për asgjësimin e 16 tonë agjentëve kimikë.

Përdorimi i programit Nunn-Lugar në Shqipëri u bë i mundur nga marrëveshja e majit të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi bashkëpunimin në fushën e parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake. Kjo marrëveshje vendos themelet për funksionimin e programit Nunn-Llugar. Shtetet e Bashkuara do t’i paraqesin qeverisë shqiptare një projekt-marrëveshje që përcakton përmasat e procesit të shkatërrimit të këtyre armëve.

Hollësi të mëtejshme të këtij projekti do të bëhen të njohura më vonë, por vendodhja dhe inventari i arsenalit do të mbahen të fshehta me qëllim që të garantohet sigurimi dhe të parandalohet rënia e informacionit në duart e kontrabandistëve të armëve dhe të terroristëve që mund të rrezikojnë arsenalin.

Shtetet e Bashkuara e krijuan programin Nunn-Lugar si mjet për të luftuar kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë në ish Bashkimin Sovjetik. Që nga miratimi i tij në vitin 1991, Programi Nunn-Lugar, ka përdorur ekspertizë dhe fonde amerikane për projekte të përbashkëta për të ruajtur dhe asgjësuar materiale dhe armë të shkatërrimit në masë. //bsa//

XS
SM
MD
LG