Kryeministri i përkohshëm irakian, Ijad Allaui, tha se qeveria e tij favorizon një zgjidhje politike të gjendjes në Falluxhah, por paralajmëroi se koha nuk pret. Zoti Allaui tha dje në qytetin verior Mosul se udhëheqësi terrorist Abu Musab Zarkaui ndodhet i fshehur në atë bazë kryengritësish.
Më parë, Kryeministri Allaui kishte urdhëruar banorët t’ia dorëzonin atë ose për ndryshe do të përballeshin me një ofensivë tjetër ushtarake. Udhëheqësit myslimanë kanë kërcënuar se do t’i bojkotojnë zgjedhjet e janarit nëse sulmohet qyteti i tyre.
Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që qeveria britanike ka pranuar një kërkesë amerikane për të dërguar 850 trupa në zona të trazuara të Irakut qendror. Departamenti amerikan i Shtetit thotë se ky vendim pasqyron gatishmërinë e Britanisë për të ndihmuar irakianët të kontrollojnë vetë të ardhmen e tyre.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, tha se teknikisht është e mundur që zgjedhjet të zhvillohen sipas planit, por shtoi se gjendja e sigurimit duhet të përmirësohet para se ai të dërgojë vëzhgues të zgjedhjeve në Irak. //bsa//