Lidhje

SHBA: kriza e vaksinave kundër gripit - 2004-10-21


Në mbarë Shtetet e Bashkuara, dhjetra mijëra amerikanë mundet që këtë vit të mos e bëjnë vaksinën e gripit, për shkak të mungesës së saj. Spitalet dhe qendrat shëndetësore po i përdorin vaksinat vetëm për fëmijët, të moshuarit dhe për pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike. Kjo po bëhet tani një nga çështjet e debatueshme të fushatës presidenciale të këtij viti.

Në mbarë Amerikën shumë njerëz që presin në radhë të gjata për orë të tëra shpeshherë largohen pa u vaksinuar, për arsye se numri i vaksinave është shumë më i vogël se sa numri i njerëzve që qëndrojnë në radhë.

Në fillim të muajit një prej dy kompanive që prodhojnë vaksina për Shtetet e Bashkuara e ndaluan transportimin e dozave të tyre 48-milionëshe, për shkak të ndotjes së tyre nga bakteriet. Kompania tjetër, ka prodhuar 55 milionë doza, shumë më pak se numri i përgjithshëm i 100 milionë vaksinave të nevojshme.

Shumë kompani farmaceutike nuk e prodhojnë vaksinën, për shkak se çdo dimër virusi i gripit ndryshon, kështuqë dozat e papërdorura duhen hedhur. Në vitin 2001, u hodhën 7 milionë vaksina. Një vit më vonë, numri u rrit në 10 milionë dhe në vitin 2003 kjo shifër arriti në 12 milionë. Wyeth, një kompani, e cila ndaloi prodhimin e vaksinave, thotë se ka humbur 50 milionë dollarë gjatë këtyre viteve.

Të dy kandidatët presidencialë po e shfrytëzojnë këtë çështje për fushatën e tyre. Xhon Keri e akuzon presidentin Bush se nuk ka marrë parasysh një raport të tre vjetve më parë, ku thuhej se në Shtetet e Bashkuara ka mungesë vaksinash.

Por presidenti Bush fajëson senatorin Keri dhe ligjvënësit demokratë të cilët kundërshtojnë ligjin që synon tërheqjen e prodhuesve, duke kufizuar ngritjen e aktpadive gjyqësore kundër komapnive farmaceutike.

Kriza është kaq e rëndë, saqë shumë amerikanë kanë filluar të shkojnë në Kanada për t’u vaksinuar. Një klinikë në Fort Erie të Ontarios, disponon një pjesë të vaksinës së gripit për t’u përdorur për arsye komerciale dhe po ia ofron atë klientëve jo-kanadezë.

Por problemi i vaksinave nuk është vetëm amerikan. Në mbarë botën, gjysma e vaksinave hidhen për shkak se nuk mbahen dot në temperaturë të ftohtë, një domosdoshmëri për ruajtjen e tyre. Kostoja e vaksinave që shkojnë dëm kap shifrën e 200 milionë dollarëve në vit.

Por kjo praktikë mund të ndryshojë me përdorimin e një teknologjie të re, të shpikur kohët e fundit. Ajo është Teknologjia e Lëngjeve të Qëndrueshme, e zbuluar nga kompania britanike Biostabiliteti e Cambridge-it. Sipas kësaj teknologjie, vaksinat nuk është e nevojshme të mbahen në temperatura të ftohta, gjë që e bën më të lehtë transportimin e tyre.

Kjo teknologji bën të mundur që 10 milionë fëmijë të tjerë në mbarë botën të vaksinohen, pa qenë e nevojshme për fonde shtesë.

Në procesin e lëngut të qëndrueshëm, vaksina përzihet me një solucion sheqeri. Kur kokrrizat e sheqerit thahen, sheqeri ngurtësohet, duke krijuar një guackë mbrojtëse përreth vaksinës. Vaksina e tharë ka efektshmëri të plotë kur kundërvepron me lëngjet natyrore në trupin e njeriut. Ky proces bën të mundur që vaksina të përdoret pas disa muajsh, apo edhe vitesh.

XS
SM
MD
LG