Lidhje

Miqtë përkujtojnë këngëtaren Anita Bitri - 2004-10-19


Miq dhe dashamirës të këngëtares shqiptare Anita Bitri u mblodhën mbrëmë në Staten Island të Nju Jorkut pranë shtëpisë së saj, në shenjë nderimi për artisten e njohur e cila humbi jetën tragjikisht.

Anita Bitri, e ëma dhe vajza e saj u gjetën dje të vdekura në shtëpinë e tyre, me sa duket të asfiksuara nga dioksidi i karbonit.

Artistë shqiptarë me banim në Nju Jork dhe dashamirës të tjerë ndezën qirinj dhe u lutën në shenjë respekti për këngëtaren, zëri i së cilës do të mbetet i paharruar si për ata që e kanë njohur kur këndonte në Shqipëri ashtu edhe për shqiptaro-amerikanët e shumtë që e kanë parë në dhjetra koncerte në Nju Jork, Uashington dhe shtete të tjerë të Amerikës.

Anita gjendej kudo në festat e shqiptarëve të Amerikës, zëri i saj do të ishte patjetër i pranishëm në festat e flamurit, të 8 marsit apo në festat e tyre private.

Kohët e fundit Anita kishte regjistruar një album të ri me titull “Çdo gjë është e mundur” dhe kishte në plan të bënte një turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për ta promovuar atë. Ajo po punonte edhe për një album në anglisht. Raifi kujton se si njeri ajo ishte shumë optimiste.

Vetëm dy muaj më parë, burri i saj Luan Prapaniku, kishte vdekur nga kanceri.

Anita i shkruante vetë këngët që interpretonte dhe këto ishin këngë të muzikës së lehtë ku gërshetohej muzika tradicionale shqiptare me muzikën pop amerikane.

Në këngët e Anitës gjeje një kombinim interesant të fjalëve shqip me fjalët anglisht dhe ajo kishte filluar të punonte për të regjistruar disa videokaseta me muzikën e saj.

Shqiptarët e Nju Jorkut, sidomos artistët që e njihnin Anitën janë të tronditur nga tragjedia dhe ata thonë se në këto momente ende nuk është e qartë se si dhe ku do të organizohet varrimi i viktimave.

Sidoqoftë disa prej tyre kanë dalë vullnetarë për të organizuar grumbullime fondesh ndërsa të shtunën pasdite, në Kishën e Parë Evangjelike të Bruklinit, do të mbajnë një ceremoni përkujtimore për nder të Anitës.

VDEKJA TRAGJIKE NE STATEN ISLAND

Këngëtarja e njohur shqiptare Anita Bitri, e ëma dhe vajza e saj vdiqën gjatë gjumit në shtëpinë e tyre në Staten Island të Nju Jorkut të asfiksuara nga gazi karbonik.

Shefi i repartit të zjarfikësve John Motovano i tha Zërit të Amerikës se në shtëpi u gjet një nivel i lartë monoksid karboni që shkaktoi vdekjen e tyre. Sipas njoftimeve të shtypit lokal, tre viktimat u gjetën të martën në mëngjes nga një mik i familjes.

Zoti Motovano tha se rajoni i policisë dhe rajoni i tij i zjarrfikësve janë duke vazhduar hetimet për të përcaktuar burimin e daljes së dyoksidit të karbonit.

Kohët e fundit Anita Bitri kishte nxjerrë një album të ri në gjuhën shqipe dhe kishte në plan që së shpejti të bënte një turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për të promovuar albumin e titulluar “Çdo gjë është e mundur”.//ii

XS
SM
MD
LG