Një raport i fundit i UNICEF-it, arrin në përfundimin se rritja ekonomike në vendet e Evropës Lindore nuk e ka përmirësuar jetesën e fëmijëve. Shqipëria përmendet në këtë raport si një nga vendet që shpenzon më pak për shëndetësinë dhe arsimin. Zëri i Amerikës intervistoi lidhur me këtë çështje, zonjën Arlinda Ymeraj, përfaqësuese e UNICEF-it në Tiranë.
Zëri i Amerikës: Zonja Ymeraj, ju keni bashkëpunuar për hartimin e pjesës së raportit të UNICEF-it për Shqipërinë. Cila mendoni ju është arsyeja kryesore që rritja ekonomike nuk ka rezultuar në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve?
Arlinda Ymeraj: Është e vërtetë që gjatë viteve të fundit Shqipëria dallohet për një arritje ekonomike të qëndrueshme. Megjithatë kjo rritje ekonomike ka pak ndikim në jetën e fëmijëve, sidomos të fëmijëve të familjeve të varfra. Në radhë të parë sepse vetë shpërndarja e rritjes ekonomike është e pabarabartë, pra familjet e varfra kanë përfituar më pak sesa familjet e tjera nga rritja ekonomike. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse shkaku i parë i varfërisë së familjeve në Shqipëri, është papunësia, sidomos ajo afatgjatë. Kjo rezulton nga studimi i fundit i varfërisë, i realizuar nga Institutit Kombëtar i Statistikave, në bashkëpunim me Bankën Botëror. Pra papunësia konsiderohet si shkaku kryesor i varfërisë. Si rrjedhim i kësaj është fare e qartë që fëmijët e këtyre familjeve të varfëra, pra fëmijët e familjeve në të cilat dy mbajtësit kryesorë, janë të papunë, kuptohet që janë larg nga përfitimi i rritjes ekonomike. Shkak tjetër është edhe fakti që rritja ekonomike në Shqipëri, nuk sigurohet kryesisht nga sektori prodhues. Pra përsëri kemi lidhjen indirekte me papunësinë. Rritje ekonomike në Shqipëri nuk do të thotë rritje e vendeve të punës, rritje të punësimit në po të njëjtën masë, pra efekti mbi uljen e papunësisë ka qenë më i vogël. Për pasojë përsëri, familjet e varfëra kanë përfituar pak nga rritja ekonomike, gjë që do të thotë që edhe fëmijët e këtyre familjeve përfitojnë pak.
Zëri i Amerikës: Zonja Ymeraj, duke qëndruar pikërisht këtu: ju përmendët faktin që kjo ndodh me familjet e varfra dhe rreth 25 për qind e popullsisë së Shqipërisë jeton në varfëri, sipas shifrave zyrtare. Por a ka shifra për varfërinë mes fëmijëve dhe çfarë e bënë këtë dukuri, pra varfërinë tek fëmijët edhe më të mprehtë, sesa varfëria tek pjesa tjetër e popullsisë, qoftë edhe tek familjet e tyre?
Arlinda Ymeraj: Sipas raportit që ju përmendët rezulton se 32,8 për qind e fëmijëve, ose 293 mijë fëmijë në Shqipëri jetojnë nën nivelin e varfërisë. Natyrisht që ky numër kur shprehet në shifra është e ndjeshme, por është akoma më e ndjeshme nëse mendohet që për këta fëmijë, pasoja e parë është aksesi në sistemin e arsimit, sigurisht nuk bëhet fjalë për pjesëmarrjen në shkollë, por bëhet fjalë edhe për pjesëmarrjen në një arsim cilësor, që ata të shkojnë në shkollë dhe të përfitojnë nga ky arsimim, të kenë mundësi që të përfundojnë arsimin fillor dhe të mesëm në Shqipëri, gjë që është e vështirë për fëmijët e familjeve të varfra. Gjithashtu është më i vështirë aksesi në shërbimin shëndetësor cilësor, është më i vështirë aksesi tek shërbimet integruese, apo këshilluese, tek shërbimet pjesëmarrëse, pra në përgjithësi është më i vështirë aksesi tek shërbimet që sigurojnë zhvillimin e këtyre fëmijëve, gjë që vë në rrezik faktin e daljes nga varfëria të familjeve të tyre në një të ardhme. Pra rrezikon integrimin në jetën shoqërore të familjes dhe pasardhësve të saj. Në fakt po t’u referohemi të dhënave të të njëjtit studim, studimit të varfërisë të INSTAT-it në bashkëpunim me Bankën Botërore ku të dhënat analizohen edhe sipas të ardhurave ekonomike të familjes, vihet re që braktisja e shkollës është një fenomen më i përhapur, ndër fëmijët e familjeve të varfra, sesa tek familjet e tjera. E njëjtja lidhje vërtetohet edhe për vdekshmërinë foshnjore.
Zëri i Amerikës: Zonja Ymeraj, këtu në Shtetet e Bashkuara, mirëqenia e fëmijëve është një nga temat e rëndësishme edhe në fushatën elektorale që po zhvillohet, sidomos kur ka lidhje me arsimin dhe sidomos kur ka lidhje me pasojat sociale që mund të ketë rritja mirë ose jo e fëmijëve në shoqëri. Ndërkohë në Shqipëri ka një strategji për të luftuar varfërinë. Sa i kushtohet rëndësi fëmijëve dhe sa mendoni ju se mirëqenia e fëmijeve duhet të jetë pjesë edhe e debatit politik në Shqipëri?
Arlinda Ymeraj: Është pak e vështirë të bëhen krahasime të tilla, sepse nuk dëshirojmë të kemi programe politike vetëm thjesht për fushata elektorale. Ne dëshirojmë të kemi programe politike që i shërbejnë realitetit. Shqipëria ka një strategji për reduktimin e varfërisë, që është në të vërtetë një strategji për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Edhe pse fëmijët nuk shprehen drejtpërsëdrejti, pra atyre nuk i kushtohen kapituj të veçantë, ata janë pjesë e të gjitha masave që parashikohen të merren, me qëllim që të realizohet zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë. Megjithatë kjo strategji është përgatitur tre vjet më parë. Unë do të dëshiroja të nënvizoja një fakt që është akoma më i freskët. Është në proces përgatitja e planit kombëtar për fëmijët dhe rishikimi i strategjisë kombëtare për fëmijët, gjë që bëhet me iniciativën e zëvendës kryeministrit Namik Dokle dhe me mbështetjen e UNICEF-it. Gjithashtu është në proces krijimi i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në nivel zëvendës kryeministri, gjë që është një arritje e madhe dhe bashkë me të do të përcaktohet edhe i gjithë plani i masave që do të merren, me qëllim që të përmirësohet jetesa ekonomike dhe sociale e fëmijëve në Shqipëri. Gjithsesi kjo është drejtpësëdrejti e lidhur me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.