Edhe në Shqipëri sot qeveria shpalli ditë zie në nderim të të rinjve nga Kosova të cilët humbën jetën dje gjatë një aksidenti tragjik. Në shkollat e Tiranës është mbajtur një minutë heshtje. Një tjetër i ri humbi jetën sot në orët e para të mëngjesit ndërsa gjendja e të plagosurve të tjerë në spitalin ushtarak të kryeqytetit duket më e mirë. Njëra prej vajzave e cila ishte në reanimacion dhe ka pësuar dëmtime të rëndë është dërguar sot pasdite në Itali. Në spital dhjetra qytetarë janë ofruar për të dhënë gjak pas thirrjes së mjekëve.
Jehona e aksidentit të rëndë vazhdon të jetë e pranishme në Shqipëri së bashku me trishtimin që solli humbja e jetës së të rinjve nga Kosova. Në orët e para të mëngjesit një tjetër nxënës, Mifail Morina nuk ka mundur ti rezistoje plagëve të rënda. Në orët e para të mëngjesit ai është ndarë nga jeta duke cuar në 16 numrin e viktimave. Në gjendje të rëndë janë ende edhe tre të rinj që po mbahen në reanimacion. Njëra prej tyre, 18 vjecarja Ardita Zurtha është transportuar drejt aeroportit ku më pas është dërguar për kurime të specializuara në një spital të Brindizit në Itali. Ardita i ishte nënshtruar që dje një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi kishte marrë dëmtime të shumta në mushkëri.
Gjendja e 15 të plagusrve të tjerë që ndodhen në spitalin ushtarak të Tiranës, duket më e mirë. Ata kanë vetëm fraktura në pjesë të ndryshme të trupit dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Për kurimin e tyre janë angazhuar të gjitha strukturat e Shëndetësisë shqiptare. Ndërsa dhjetra qytetarë, edhe nga Kosova si dhe ushtarë të huaj të kontingjentit të Natos në Shqipëri i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së mjekëve për të dhuruar gjak.
Qeveria shqiptare shpalli sot ditën e zisë kombëtare në nderim të të rinjve nga Kosova. Në shkollat e kryeqytetit është mbajtur një mintë heshtje. Një ceremoni për nder të viktimave është zhviluar dhe në ministrinë e Mbrojtjes.
Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i ka dërguar një mesazh ngushëllimi presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në të cilin ai shkruan ndër të tjera se kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë të gjithë. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë shkruhet në mesazhin e presidentit Moisiu ndjejnë sot dhimbje dhe bashkohen me thimbjen tuaj, të familjarëve të viktimave dhe të gjithë Kosovës. Mesazhe ngushëllimi ka shprehur sot edhe kryetari i partisë demokratike Sali Berisha i cili e ka quajtur humbje të pakompensueshme vdekjen e të rinjve gjatë aksidentit.
Ngjarja e ndodhur dje ka risjellë në vëmendje problematikën shqetësuese të aksidenteve në Shqipëri. Që nga viti 1990 në vend kanë ndodhur mbi 6000 aksidente me më shumë se 3500 të vdekur. Vetëm gjatë muajve të këtij viti janë rregjistruar mbi 450 aksidente me më shumë se 160 të vdekur. Shqipëria, ku patentat janë dokumenti më i lehtë për tu fallsifikuar dhe ku dëshmitë për dhënien e makinave blihen edhe me para në dorë, është ndër vendet me një shifër aksidentesh gati 4 herë më të lartë se vendet europiane.