Lidhje

Rugova: Pavarësia e Kosovës të njihet drejtpërdrejt nga SHBA dhe BE - 2004-10-14


Në kuadër të debateve elektorale mbi zgjedhjet në Kosovë tani ju ftojmë të ndiqni intervistën me Presidentin e Kosovës dhe Kryetarin e Lidhjes Demokratike Ibrahim Rugova.

Zëri i Amerikës: Cila është platforma e partisë tuaj për zgjedhjet e 23 tetorit?

President Ibrahim Rugova: Ju faleminderit! Për Zërin e Amerikës kam gjithmonë dëshirë të jem me ju dhe me redaksinë dhe me radion tuaj. Siç e dini platforma apo programi i LDK-së për këto zgjedhje është pavarësia e Kosovës që është një apel drejtuar bashkësisë ndërkombëtare se ka ardhur koha që të njihet pavarësia e Kosovës dhe që do të hapte prespektivat e brendëshme për zhvillimet e brendëshme në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës dhe po ashtu edhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në Nato dhe një miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo siç e dini del nga motoja që kemi patur për shumë vite: LDK-ja dhe shqiptarët e Kosovës, liri, pavarësi, demokraci që është një moto sublime që i ka përfshirë të gjitha aspiratat e njerëzve tanë edhe që edhe në ardhmen do të jetë si një filozofi për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti president, ju keni vënë pavarësinë në qendër të programit tuaj. Ndërkohë bashkësia ndërkombëtare ka venë si kusht përmbushjen e standarteve për hapjen e debatit për statusin politik të Kosovës. A besoni ju se këto standarte do të mund të plotësohen në kohën e duhur?

President Ibrahim Rugova: Unë insistoj që sa më shpejt të njihet pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Kjo do të ishte rruga më e mirë, më e drejtë, më produktive që do ta pranonin edhe fqinjët tanë. Ne i kemi disa standarte që duhen bërë por kemi edhe shumë standarte të tjera por kryesore duhet të plotësohen ato standarte për të gjitha vendet që aspirojnë të jenë në Bashkimin Evropian, siguria, stabiliteti, mbrojta e minoriteteve, reformat e pushtetit të brendëshëm dhe ne i kemi përmbushur një pjesë. Unë e kam thënë disa herë se ka munguar vlerësimi. Ne kemi mbajtur tre palë zgjedhje deri tani dhe asnjëherë nuk janë vlerësuar. Kemi ecur në fushën e ekonomisë, të legjislacionit. I gjithë legjislacioni ynë është kompatibil me Bashkimin Evropian, me strukturat veriatlantike e të tjera, domethënë kemi një progres më shumë se vendet e tjera e kësaj pjese të Evropës.

Zëri i Amerikës: Zoti president, Kosova ndodhet në një gjendje relativisht të vështirë ekonomike. LDK-ja është partia më e madhe, ka shumicën në parlament. Përse votuesit duhet të zgjedhin pikërisht Lidhjen Demokratike të Kosovës për përmirësimin e kësaj gjendjeje?

President Ibrahim Rugova: Këtu është pak situatë e ndërlikuar. Duhet ta kemi të qartë që ne nuk i kemi të gjitha kompetencat as në ekonomi. Nuk duhet as të konfrontohemi edhe me UMNIKun, sepse ai është në interesin tonë. Por vërtet ka patur zvarritje në mbarjen e kompetencave gjatë këtij mandati. Edhe më të gjitha dokumentet që kemi aprovuar ka qenë e paraparë të mbartjen shumë kompetenca gjatë tre vjet apo dy vjet e gjysmë. Ne kërkojmë të na votojnë sepse do të insistojmë që mbas zgjedhjeve të kemi më shumë kompetenca, UNMIKu duhet të jetë shumë më fleksibël, ka filluar tash dhe natyrisht premtojmë që të kemi garancione për investimet e jashtme në Kosovë. Askush nuk vjen pa garancionet të një qeveri nacionale.

Zëri i Amerikës: Zoti president, institucionet që do të dalin nga këto zgjedhje do të kenë përpara detyrën e vështirë të negocimit të statusit politik të Kosovës. A jeni ju dhe partia juaj të përgatitur për këto bisedime? A keni një strategji të përcaktuar për këto bisedime?

President Ibrahim Rugova: Unë e theksova. Rruga më e mirë më e drejtë është njohja e drejtëpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës. Në se bëhen njëfarë negociatash, njëfarë tubimi i vogël ndërkombëtar ku do të merrnin pjesë edhe fqinjtë pa të drejtë vetoje, se janë mësuar fqinjtë tanë të tregëtojnë me Kosovën apo të manipulojnë të themi më mirë, pra kjo është një rrugë tjetër që ndoshta ne jemi të përgatitur për çdo rast dhe përditë e kemi në tryezë këtë çështje. Sot nuk kemi qasje të fondeve ndërkombëtare financiare, mungon diplomacia. Ne kemi mbetur në mëshirën e gjysmë informatave që dalin për Kosovën në botë. Në ekonomi duhet të kemi zyra përfaqësuese, duhet të kemi ambasada, duhet të kemi një qarkullim të njerëzve. Ka ndodhur një fenomen, tërë botën e kemi në Kosovë, e ne nuk jemi në botë. Këtë e them pa të keq por duhet të gjejmë në këtë fazë së bashku me UNMIKun. Ndërsa me njohjen e pavarësisë këto gjëra do të shkojnë më lehtë dhe do të qetësohej kjo pjesë e Evropës dhe e botës.

Zëri i Amerikës: Pjesa më e madhe e standarteve lidhet me gjendjen e pakicave e posaçërisht me komunitetin serb. Sa ka përparuar, sa ka ecur Kosova në këtë aspekt? A mos ka dështuar ajo që është quajtur si koncept i Kosovës shumëetnike?

President Ibrahim Rugova: Unë e kam thënë disa herë dhe tash e them. Duhet ta pranojmë si do vend tjetër që ka një shumicë ka dhe pakicat, grupet etnike sido që ti quajmë. Ne nuk mund të bëjmë “inxhiniering” as të Kosovës e as të ndonjë vendi tjetër. Ka ndodhur lufta, ishte lufta dhe unë e them shpesh që të gjithë jemi më pak në Kosovë. Ndërsa përsa i përket grupeve etnike edhe këtu kemi një progres. Janë të integruar në mënyrë administrative, serbët kanë qënë grupi i tretë në parlament me 10 vende ekstra të rezervuara, 10 për minoritetet e tjera, dy ministri për minoritetet etj, etj., në pushtetin lokal ku janë shumica ata udhëheqin dhe shqiptarët nuk bëjnë problem. Mitrovica është në një rast tjetër që nuk duan kurrsesi të marrin pjesë në asamblenë komunale. Domethënë kemi një progres edhe këtu.

Zëri i Amerikës: Si e shihni skenën politike pas 23 tetorit dhe a do të pranonit sërisht një qeverisje të mundshme në koalicion ?

President Ibrahim Rugova: LDK-ja lufton që të ketë një shumicë të madhe, të mirë apo absolute si i thonë me terma politikë. Ne përpiqemi që ta kemi një shumicë dhe duhet gradualisht të mësohemi me një jetë demokratike që do të kemi një pozitë, pra që udhëheqin dhe një opozitë që kritikon. Kjo është demokracia që të mos flenë ata që janë në pushtet. Ndërsa kur ndodhin këto kompromise, nganjëherë bie efikasiteti i institucioneve. Siç e dini kemi një sistem elektoral shumë të disfavorshëm, total - proporcional që është vështirë të garantohet një shumicë për të udhëhequr vendin dhe një prej detyrave tona numër një do të jetë që duhet ta ndryshojmë sistemit elektoral që të jetë funksional.

XS
SM
MD
LG