Lidhje

Irak: sulme në Bagdad, Falluxha, Mosul - 2004-10-14


Rrjeti terrorist i udhëhequr nga Abu Musab al-Zarkavi mori përgjegjësinë për dy shpërthimet e sotme në zonën e Gjelbërt të Bagdatit, ku ndodhen zyrat e qeverisë irakiane, amerikane dhe ato britanike. Me anë të një deklarate në Internet, që i atribuohet grupit Tawhid dhe Xhihad, ky grup e cilësoi infiltrimin e 2 prej anëtarëve të tij në këtë kompleks të mbrojtur rëndë si një prej operacioneve të tij më të sukseshëm.

Ushtria amerikane thotë se 5 vetë, e jo 7 siç u njoftua më parë, humbën jetën nga shpërthimet në një pazar dhe kafene. Mes të vrarëve ishin edhe 3 civilë amerikanë. Më shumë se 20 të tjerë u plagosën, përfshirë 2 ushtarakë dhe 2 civilë amerikanë.

Këshilltari irakian i Sigurimit Kombëtar, Dasem Daoud i paralajmëroi autorët e sulmeve se forcat irakiane do t’i gjejnë dhe sulmojnë ata kudo që të jenë. Zoti Daoud tha se njoftimet paraprake tregojnë se sulmet u kryen nga persona që kryen sulme vetëvrasëse. Ushtria amerikane njoftoi se mjetet e gjetura tregojnë se bombat janë transportuar me dorë, duke ngritur pyetje mbi sigurinë e kësaj zone. Nuk është ende e qartë në se autorët e sulmeve ishin mes të vrarëve.

Sipas njoftimeve, kryengritësit në mbarë Irakun e kanë intensifikuar fushatën e tyre të dhunës një ditë para muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në perëndim, në qytetin e trazuar të Falluxhës ushtaria amerikane tha se avionët e saj ndërmorën sot disa sulme të suksesshme në zonat e përdorura nga rrjeti terrorist i Abu Musab al Zarkawit. Ndërkohë në Mosul, shpërthyen dy bomba që kishin objektiv një patrullë të Gardës Kombëtare Irakiane dhe një autokolonë ushtarake amerikane. Policia tha se një civil u vra dhe gjashtë oficerë të gardës u plagosën. Gjithashtu një grup ekstremist në Irak vendosi një video në një faqe interneti që tregon mesa duket ekzekutimin me prerje koke të një shoferi turk kamionash që grupi thotë se punonte me forcat amerikane në Irak.// lk //

XS
SM
MD
LG