Presidenti Bush dhe rivali i tij demokrat, John Kerry, shkëmbyen dje kritika të ashpra, ndërsa vazhduan fushatën në shtetin e New Meksikos. Presidenti tha se komentet që senatori demokrat Kerry bëri gjatë një interviste tregojnë se ai nuk e kupton fare luftën kundër terrorizmit.
Zoti Kerry i tha revistës New York Times se Amerika duhet të kthehen në një vend ku terroristët nuk janë “epiqendra e jetës tonë por vetëm shqetësimi ynë”.
Gjatë fushatës në shtetin Nju Meksiko sot, zoti Bush tha se lufta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorit nuk synon uljen e rrezikut terrorist por triumfin ndaj tij duke qëndruar në ofensivë dhe duke përhapur lirinë.
Ndërkohë në një tubim fushate në Santa Fe, senatori Kerry tha se manaxhimi i gabuar nga ana e zotit Bush i luftës në Irak kishte kontribuar në ngritjen e çmimeve të naftës dhe e akuzoi presidentin se kishte bërë më shumë për të pasurit dhe të fuqishmit se sa për klasën e mesme të amerikanëve.
Komiteti Kombëtar Demokrat thotë se ka në plan të paraqesë një ankesë pranë zyrtarëve amerikanë të zgjedhjeve në lidhje me planet e një kompanie transmetimesh për të paraqitur një film kritik ndaj kandidatit demokrat për president, John Kerry.
Sinclair Broadcast Group ka urdhëruar të 62 stacionet e tij televizive ta transmetojnë filmin javën e ardhshme, më pak se dy javë para ditës së zgjedhjeve.
Filmi i titulluar, Stolen Honor - nder i vjedhur- përqendrohet tek dëshmia e zotit Kerry në vitin 1971 para Kongresit duke kritikuar Luftën e Vietnamit.
Në film tregohen robër amerikanë lufte që shprehen se komentet e zotit Kerry në lidhje me mizoritë e kryera nga ushtarët amerikanë bënë që vietnamezët t’i kenë trajtuar ata egërsisht.
Kampi i zotit Kerry e ka quajtur filmin sulm ndaj emrit të senatorit.
Njoftimet e shtypit bëjnë të ditur se Sinclair Broadcast Group ka dhënë kontribute të mëdha financiare për zgjedhjen e zotit Bush.
//ze//