Lidhje

Shqipëri: Përfaqësuesi i FMN-së u bën thirrje autoriteteve t’i marrin seriozisht shqetësimet ndërkombëtare - 2004-10-11


Përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Jan Peter Olters kërkoi të hënën që autoritetet shqiptare të marrin seriozisht shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë. Në një konferencë kombëtare kushtuar zhvillimit të qëndrueshëm social ekonomik të organizuar nga ministria e financiave dhe zyrave e Kombeve të Bashkuara për programin e zhvillimit zoti Olters tha se duhet kuptuar dallimi mes një strategjie kombëtare si instrument i fortë për zbatimin e politikave dhe një dokumenti të bukur që është vetëm një alibi për mosveprim.

Autoritetet e larta shtetërore shqiptare paraqitën sot raportin kombëtar të objektivave të zhvillimit të mijëvjecarit dhe raportin e progresit për vitin 2003 të Strategjisë kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe social, dy dokumente në të cilat janë përcaktuar objektivat për ecurinë e ardhshme të vendit.

Veçanërisht strategjia e zhvillimit ekonomik dhe social konsiderohet si platforma mbi të cilën qeveria shqiptare harton programet, dhe përcakton objektivat dhe drejtimin në të cilin duhet të ecë vendi. Ministri i financave Arben Malaj deklaroi se qeveria po përqëndrohet në mekanizmat që e shndërrojnë rritjen ekonomike në zhvillim social në mënyrat e shpërndarjes së përfitimeve në pjesë të ndryshme të territorit dhe midis grupeve të ndryshme të popullsisë dhe se në këtë pikë tha ai vendi ka filluar një përmirësim cilësisht të ri.

Por përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Jan Peter Olters tha sot se aspektet e zhvillimit të deritanishëm janë të pamjaftueshme për të garantuar suksesin e zbatimit të objektivave të qeverisë.

"Ne duhet të kuptojmë dallimin midis një strategjie kombëtare zhvillimi që është një instrument i fortë për zbatimin e politikave dhe një dokumenti të bukur që është vetëm një alibi për mosveprimin", deklaroi zoti Olters.

"Çatia e vizionit afatgjatë të zhvillimit social dhe ekonomik nuk mund të rrijë pezull mbi themelet e forta të një stabiliteti makroekonomik dhe një strukture institucionale të mjaftueshme në rast se shtyllat mbështetëse, pra zbatimi efikas i politikave, mungon", tha ai duke shtuar se "për të garantuar suksesin në zbatimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit është shumë e rëndësishme të merren seriozisht shqetësimet e partnerëve të ndryshëm".

Sipas zotit Olters politikanët kryesor të vendit kanë keqkuptuar shqetësimet publike të shprehura kohët e fundit nga komuniteti ndërkombëtar dhe se krtitikat janë interpretuar shpesh si sulme personale, tha ai duke iu referuar qartë qëndrimit të kryeministrit Fatos Nano.

Javën e shkuar kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Shqipëria nuk duhet vlerësuar me standarte të dyfishta nga komuniteti ndërkombëtar, duke lënë të kuptohej hapur pakënaqësinë e tij ndaj deklarimeve të fundit ndërkombëtare mbi zhvillimet në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG