Lidhje

Shqipëria dërgon kontigjentin e ri të trupave në Irak - 2004-10-11


Shqipëria përcolli sot në mëngjes kontigjentin e katërt të trupave komando në Irak që shërbejnë nën komandën amerikane, në aeroportin e Mosulit. Këto trupa nisen për të zëvendësuar ato ekzistuese, por për një farë kohe të dyja kontigjentet do të shërbejnë në Irak. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pandeli Majko u kthye dje nga një vizitë në Bahrein, ku u zhvillua një takim me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes dhe 18 ministra të mbrojtjes të vendeve që bëjnë pjesë në koalicionin në Irak. Zotin Majko dha të hënën një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju morët pjesë të shtunën në një takim të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Rumsfeld dhe ministrave të mbrojtjes të 18 vendeve që marrin pjesë në koalicionin e luftës në Irak. Cili ishte qëllimi i takimit dhe çfarë u diskutua aty?

Pandeli Majko: Takimi nuk mund të thuhet që ishte rutinë. U diskutuan një varg problematikash që kishin të bënin me ecurinë e situatës në Irak, por edhe më gjerësisht në Lindjen e Mesme. Sigurisht nga pikëpamja e koordinimit të situatës nëpërmjet vendeve anëtare të koalicionit antiterrorist, takimi ishte mjaft i rëndësishëm, pasi u diskutua dhe e mor informacion edhe nga komanda e trupave të koalicionit në Irak, po ashtu edhe nga Ministri i Mbrojtjes së Irakut i cili ishte prezent në takimin e ministrave të mbrojtjes së koalicionit, rreth ecurisë së situatës në Irak, përgatitjes së zgjedhjeve në Irak, po ashtu edhe krijimit dhe forcimit të institucioneve atje. Është e rëndësishme që të theksohet që marrja e informacionit, koordinimi i situatës i shërbeu jo vetëm një njohjeje më të mirë të situatës, por edhe organizimit të takimeve të tilla në vazhdim. Ajo ishte e rëndësishme, pasi në fund të fundit, le të themi konsolidoi atë që duket si pjesë e padukshme, qofshin këto të marrëdhënieve personale dhe konfidenciale të Ministrave të Mbrojtjes, por edhe një varg çështjesh që kanë të bëjnë me diskutimin e disa problematikave që për momentin mendoj se janë konfidenciale.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, Shqipëria sot përcolli 72 trupa të tjera në Irak, që do të zëvendësojnë ato ekzistuese që kapin po të njëjtën shifër. Por të gjitha këto trupa do të mbeten të paktën për një farë kohe së bashku. Për sa kohë do të rrinë të dyja kontigjentet dhe a planifikon Shqipëria të shtojë numrin e trupave në Irak? A bëri zoti Rumsfeld ndonjë kërkesë të tillë?

Pandeli Majko: Kjo si moment është diskutuar edhe më parë në nivele të ndryshme politike, gjatë vizitës së përfaqësuesve të shtetit shqiptar Washington dhe anasjelltas. Ekziston një rutinë në pikëpamje të ecurisë së misioneve. Ushtarët e misionit pasardhës qëndrojnë për një periudhë disajavore me ushtarët e misionit të cilët e përfundojnë periudhën e tyre kohore dhe kjo i shërben më tepër njohjes së situatës, njohjes së momenteve delikate dhe në fund të fundit një lloj trainimi paraprak të ushtarëve tanë të cilët marrin misionin e ri. Një gjë e tillë ndodh edhe me misionet e tjera paqeruajtëse në Afganistan, në Bosnje. Aktualisht Shqipëria për momentin mund të ketë rreth 400 ushtarë jashtë kufijve të vet, të cilët trajnohen për të marrë misionin, ose janë në misione paqeruajtëse, gjë që përbën një numër rekord për historinë e forcave të armatosura (të Shqipërisë).

Zëri i Amerikës: Por a ka në plan Shqipëria që të shtojë forca të tjera në Irak?

Pandeli Majko: Vendimi për këtë çështje është shqyrtuar. Besoj ju jeni në dijeni të deklaratës së kryeministrit shqiptar gjatë vizitës në Washington, në vizitën që pati në Shtëpinë e Bardhë si një nga anëtarët e grupit të Adriatikut, që Shqipëria është e gatshme të shtojë trupat e veta në Irak. Nga pikëpamja teknike, apo ushtarake, kjo nuk përbën një problem, pra kalimi nga 70 në një numër brenda konceptit të kompanisë 120, nuk përbën problem për forcat e armatosura.

Zëri i Amerikës: Aktualisht në Itali, në një destrojer amerikan po bëhet një stërvitje e përbashkët në Detin Adriatik mes forcave detare shqiptare, maqedonase dhe kroate, e drejtuar nga trupa amerikane. Është e para stërvitje e përbashkët e këtyre vendeve që duan anëtarësimin në NATO. Shqipëria ndërkohë është cilësuar si vend që po i përmirëson standardet ushatarake për anëtarësim në aleancë. Por sa po i dëmton paqëndrueshmëria politike shanset për t’u afruar me aleancës?

Pandeli Majko: Nuk dua të bëj optimistin, por nuk mendoj që paqëndrueshmëria politike, mund të nxisi probleme në ecurinë e reformës në forcat e armatosura, pasi kemi të bëjmë me një reformë deri diku të konsoliduar, një reformë të ndihmuar nga faktorët ndërkombëtarë dhe partnerë dhe nga disa pikëpamje të tjera do të thoja që ajo që e ndihmon më tepër situatën e një reforme në fushën e sigurisë është edhe mënyra sesi kjo reformë lidhet me reformat e vendeve të tjera përreth. Çfarë kam parasysh me këtë? Që nga krijimi i Shqipërisë, që nga dita e pavarësisë në 1912-ën, mendoj që në kufijtë e Shqipërisë nuk ka patur një situatë kaq të mirë sigurie sa ç’ekziston aktualisht. Përveç Grupit të Adriatikut ne kemi takime permanente trepalëshe midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, siç ishte takimi i fundit i Sofies. Përgatitemi për një takim tjetër trepalësh në Kostur të Greqisë, midis Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Italinë, me Turqinë, Gjermaninë, nuk po përmend këtu Shtetet e Bashkuara pasi kjo dihet. Nga pikëpamja e ngritjes së strukturave të sigurisë, mendoj që reforma në fushën e mbrojtjes është shumë komplementare me situatën rajonale. Nga kjo pikëpamje mendoj edhe si rezultat i një vargu hapash të hedhura në këtë drejtim, mendoj se i vetmi problem që unë e shikoj si një çështje ende të hapur, është problemi financiar, një gjë që ekziston normalisht në të gjitha vendet që kanë kaluar një reformë të tillë, por ajo që më ndihmon ta shikoj me pozitivizëm këtë, është që kur flitet për reforma në fushën e mbrojtjes, ashtu siç mund të flitet edhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, në Shqipëri tanimë është bërë një edukatë normale pune, që nuk ka dallime midis pozitës dhe opozitës.

XS
SM
MD
LG